LAJMI I FUNDIT:

Hasani: Prioritet mbrojtja intelektuale, po luftojmë falsifikimin dhe piraterinë

Hasani: Prioritet mbrojtja intelektuale, po luftojmë falsifikimin dhe piraterinë

Në Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Kulturës dhe Dogana e Kosovës kanë deklaruar se janë të përkushtuara në mbrojtje të drejtave të pronësisë intelektuale.

Në shënimin e kësaj dite, që për moto kishte “Forca e ndryshimit: Gratë në Inovacion dhe Krijimtari”, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani ka deklaruar se do të vazhdojë të punojë në forcimin e sistemit të pronësisë intelektuale.


“Rëndësia e mbrojtjes së pronës intelektuale të ndërmarrjes nuk qëndron thjeshtë tek roli që ajo mund të luaj në pakësimin ose rikthimin e humbjeve ekonomike që vijnë nga shkeljet e pronës intelektuale të saj. Por, para së gjithash tek ruajtja nga shkatërrimi i tregut të ndërmarrjeve, prishja e imazhit dhe besueshmërisë së klientit në emrin dhe produktet apo shërbimet e ndërmarrjes. MTI përmes agjencionit për pronës industriale është në bashkëpunim të shkëlqyeshëm me të gjitha institucionet të ndërlidhura me zbatimin e të drejtave të pronësisë intelektuale. Posaçërisht pronësisë intelektuale të realizuar edhe përmes Këshillit shtetëror për pronësi intelektuale, siç është task forca kundër piraterisë, forcimi i institucioneve gjegjëse, informimit të qytetarëve për rëndësinë e zbatimit të këtyre të drejtave në mënyrë që qytetarët dhe komuniteti i biznesit të jenë më të vetëdijshëm për rëndësi në e mbrojtjes”, tha Hasani, përcjell Telegrafi.

Hasani tha se janë të fokusuar në ngritjen e sistemit të pronës intelektuale, miratimin e të gjithë infrastrukturës ligjore të nevojshme dhe në ngritjen e fuqizimit të infrastrukturës institucionale, duke rritur kapacitetet e tyre fizike dhe buxhetore. E që sipas tij, qëllim ka ndalimin dhe luftimin e dukurive negative të përdorimit të paautorizuar të markave tregtare, prodhimi, eksporti dhe shitja e patentave pa licencë.

Ai bëri të ditur se numri i përgjithshëm i regjistrimit të markave tregtare është mbi 26 mijë. Gjithashtu, ai potencoj se përmes mbrojtjes së pronësisë intelektuale të inkurajojnë zhvillimet e reja teknologjike, të nxisin inovacionin dhe të mbrojnë reputacionin e brendeve të kompanive vendore dhe ndërkombëtare.

Konferenca për shënimin e Ditës Botërore për Pronësi Intelektuale është organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, gjegjësisht nga Agjencia e Pronësisë Industriale. /Telegrafi/