Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves njoftoi për takimin që e ka zhvilluar të martën, më 22 korrik, me presidenten Vjosa Osmani.

“U pajtuam se pasojat e një bllokimi të vazhdueshëm politik do të jenë të rënda për Kosovën dhe popullin e saj”, shkroi ai në Facebook.


Tutje, Hargreaves tha se e ka përgëzuar Osmanin për përpjekjet e saj për zgjidhjen e bllokimit në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Theksova përgjegjësinë e të gjitha partive politike për ta vënë vendin mbi interesat partiake për të gjetur një zgjidhje”, tha Hargreaves.

Presidentja Vjosa Osmani në konferencë për media të martën, tha se kërkesa e dërguar në Kushtetuese nuk e paragjykon epilogun në vazhdimin e afatit të mbetur prej katër ditësh për konstituimin e Kuvendit.

Osmani tha se nëse arrihet marrëveshja për konstituimin e Kuvendit, ajo do të tërheq kërkesën e dorëzuar në Kushtetuese./Telegrafi/