Haradinaj: Zjarrfikësit janë krenaria e shtetit tonë, meritojnë mbështetje më të madhe
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar lart punën dhe sakrificën e zjarrfikësve në shënimin e 4 majit – Ditës Ndërkombëtare të Zjarrfikësve.
Haradinaj theksoi se zjarrfikësit mbeten ndër shtyllat më të forta të shërbimit publik, duke vepruar çdo ditë në vijën e parë për mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve, edhe në kushte të vështira dhe me mungesë të mbështetjes institucionale.
“Zjarrrfikësit janë krenaria e shtetit tonë. Në kushte të rënda, të lënë anash dhe pa përkrahjen e duhur nga qeverisja e fundit, ata nuk u ndalën asnjëherë. Me përkushtim dhe guxim, vazhdojnë të jenë çdo ditë në shërbim të qytetarëve”, u shpreh Haradinaj.
Ai shtoi se sot, më shumë se kurrë, zjarrfikësit meritojnë respekt të plotë, vlerësim institucional dhe mbështetje konkrete për punën e tyre të palodhshme. /Telegrafi/




























