LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj: Vuçiq nuk mund ta mohojë se djemtë e UÇK-së e kanë përzënë nga Kosova

Haradinaj: Vuçiq nuk mund ta mohojë se djemtë e UÇK-së e kanë përzënë nga Kosova

Në 21 vjetorin e rënies së komandantit të Brigadës 113, Mujë Krasniqi dhe 40 dëshmorëve të kombit, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se Aleksandër Vuçiq dhe kolegët e tij nuk mund ta mohojnë që djemtë e UÇK-së i kanë përzënë ata nga Kosova.

Në akademinë përkujtimore kushtuar 41 dëshmorëve të kësaj brigade, kryeministri ka thënë se shqiptarët nuk mund të thyhen nga askush, e këtë e dëshmon më së miri vepra e komandant Mujë Krasniqit.


Në Prishtinë sot, përmes një akademie përkujtimore, janë përkujtuar dëshmorët e kombit, të Brigadës 113 të UÇK-së, të rënë në altarin e lirisë duke krijuar shenjat e rrënimit të kufirit politik në mes të tokave shqiptare.

Aty u tha se 14 dhjetori sjell në kujtesë heroizmin e njërit prej komandantëve më emblematik të UÇK-së, Mujë Krasniqit, i njohur si komandant Kapuçi.

Prej aty, kryeministri i Kosovës i dërgoi porosi presidentit serb Aleksandër Vuqiq, i cili ditë më parë shprehu mohim për masakrën e Reçakut, duke i thënë se nuk e mohon dot faktin që ushtarët e UÇK-së e kanë përzë nga Kosova.

“Vuçiqi, edhe kolegët e tij, Vulini e Daçiqi e të tjerë e mohojnë Reçakun, por një gjë nuk mund ta mohojnë, djemtë e UÇK-së e kanë përzënë prej Kosovës, pra edhe Milloshin edhe Vuçiqin edhe krejt. Tash ai prej atje le t’i mohon, por a mund ta mohojë këtë, që dikur këtu ka qenë ai këmbëkryq, nuk është më. Ju e dini Grandin kush ka qëndruar në Grand, shtabi i kujt ka qenë, nuk janë më, le që nuk kanë me kthy më, por ne kemi me u forcuar si popull në të drejtën tonë gjithë. Kush mundohet me thy shqiptarin, le të mëson pak prej historisë, nuk ka kush që e thyen shqiptarin, nuk ka mundur kurrë askush me lëkundë shqiptarin në të drejtën e vet. Pse nuk mundet, veç merreni shembullin e Mujë Krasniqit, në çdo luftë, çdo ushtri, atë njeri e kishin hek prej frontit, fizikisht ka qenë i paaftë me luftuar, ai ka qenë i plagosur rëndë, ka qenë njeri me qëndrua shtritë në spital, ai vet ka marrë vendim, jo vetëm m e u ngarkuar me armë, por edhe me hy në vija të luftës”, tha Haradinaj.

Haradinaj u shpreh i bindur se shqiptarët, kudo që janë, jo vetëm në Kosovë, do të ecin çdo herë me hapa përpara armiqve.

E, Xhavit Jashari nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të Kombit, tha se duke nderuar Mujë Krasniqin dhe dëshmorët e tjerë, i dërgojnë porosi Gjykatës Speciale, se asnjë drejtësi e anshme nuk mund të shkelë mbi gjakun e dëshmorëve të kombit.

“Duke nderuar dhe duke kujtuar 166 dëshmorët e kombit të Brigadës 113 ‘Mujë Krasniqi’, ne nderojmë dhe kujtojmë të gjithë dëshmorët e kombit kudo që kanë rënë për lirinë, për të drejtën historike të shqiptarëve, për jetën e përbashkët të shqiptarëve brenda gjeografisë së tyre kombëtare. Andaj duke nderuar këtë gjak të derdhur për lirinë tonë, i dërgojmë porosi edhe asaj Gjykate Speciale që është krijuar vetëm për ushtarët e lirisë, se asnjë drejtësi e njëanshme, siç edhe asnjë padrejtësi, nuk mund të shkelë mbi gjakun e dëshmorëve të kombit. Në të njëjtën kohë u dërgojmë porosi të gjithëve, edhe politikës shqiptare edhe asaj evropiane, edhe gjykatave speciale, se kur burgosni ushtarët e UCK-së, keni burgosur një pjesë të bartësve të lirisë sonë, në emër të së cilës edhe ju sot jeni në Kosovë”, tha ai.

Ai tha se shteti ka obligim të nderojë dëshmorët e kombit, të kujdeset dhe të mbështesë familjet e dëshmorëve të kombit, të kujdeset për invalidët e për veteranët, dhe të mbrojë lirinë që është fituar falë gjakut të dëshmorëve të kombit.

Në akademinë kushtuar 41 dëshmorëve të Brigadës 113, ka folur edhe Hysni Shabani, ushtar i kësaj brigade.

“Ata e dinin se rruga drejt lirisë është e gjatë, por më e gjatë dhe e rëndë ishte robëria shekullore nën regjimin serb, janë 181 dëshmorë të Brigadës 113 që dhanë jetën në altarin e lirisë. Aktet heroike dhe gjaku i tyre dëshmuan vullnetin e zjarrtë për liri, andaj liria që e gëzojmë sot nuk ka zbritur nga qielli, por është kurorëzim, mund, sakrificë e luftës dhe rënies së ushtarëve të UÇK-së. Por dihet se kauza të mëdha kërkojnë heroizma, flijime e sakrifica të mëdha”, tha ai.

Ai tha se të gjithë dëshmorët që përkujtojnë sot janë figura të ndritshme që ranë për idealin më të madh jetësor, çlirimin e atdheut.

Ndërsa në emër të familjeve të dëshmorëve, motra e komandant Mujë Krasniqit, Selvete Krasniqi, falënderoi për organizimin e akademisë, dhe u zotua se do të jenë çdo herë në shërbim të tokave shqiptare.

“Një gjë u premtojmë të gjithë, çdo kund e ne çdo moment, sa herë të jetë nevoja për këtë vend, do të jemi në shërbim të tokave shqiptare”, tha ajo.

Në 21 vjetorin e rënies së Mujë Krasniqit, kujtojmë se ai bashkë me 4o luftëtarë të UÇK-së ranë heroikisht më 14 dhjetor të vitit 1998, në një pritë nga forcat serbe, afër kufirit Kosovë-Shqipëri.

Mujë Krasniqi, i njohur si komandant Kapuçi, ishte një prej luftëtarëve të parë të UÇK-së. /kp/Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Lajme
Kërkesat e shumta për dokumente personale, MPB zgjat orarin për ofrimin e shërbimeve - do të punohet edhe të shtunave

Kërkesat e shumta për dokumente personale, MPB zgjat orarin për ofrimin e shërbimeve - do të punohet edhe të shtunave

Lajme
Organizatori i protestave anti-Vuçiq në Beograd, Manojloviq: Unë jam gjallë falë besës së shqiptarit

Organizatori i protestave anti-Vuçiq në Beograd, Manojloviq: Unë jam gjallë falë besës së shqiptarit

Lajme
Djegia e shtëpisë dyshohet të jetë shkaktari i vrasjes së djeshme në Pejë – viktima dhe i dyshuari ishin miq

Djegia e shtëpisë dyshohet të jetë shkaktari i vrasjes së djeshme në Pejë – viktima dhe i dyshuari ishin miq

Jehona Hulaj
Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Lajme
KSHZ pas numërimit të 99.85% të votave, Osmani 13.36%, Taravari 9.21%

KSHZ pas numërimit të 99.85% të votave, Osmani 13.36%, Taravari 9.21%

Politikë
Kalo në kategori