LAJMI I FUNDIT:

“Haradinaj tradhtoi opozitën për Kadri Veselin”

“Haradinaj tradhtoi opozitën për Kadri Veselin”

Sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj ka theksuar se sa më larg Vetëvendosjes aq më afër PDK-së, duke aluduar në dy partnerët e tyre opozitarë AAK dhe Nisma për Kosovën, për të cilët tha se janë të gatshëm të bëjnë koalicion me PDK-në.


Molliqaj duke folur për momentin që opozita filloj të përçahet, tha se diskutimet e mëdha kanë ndodhur një javë para protestës së 17 shkurtit

“Kemi diskutuar ofertën që e ka bërë AAK, ku ka kërkuar që AAK dhe VV të jenë të njëjta. Ne kemi këmbëngul se nuk mund të  ndërtojmë bashkëpunim pa parime dhe pa kritere”, ka thënë Molliqaj në RTK, duke shtuar se AAK ishte e interesuar të diskutonte vetëm për listën.

Molliqaj ka përmendur edhe krijimin e “Alternativës” nga ana e Vetëvendosjes të cilën e kishte refuzuar AAK-ja.

Ai ka shtuar se nuk ka pasur të bëjë me shkrirje të subjekteve politike.

“Ne nuk jemi të gatshëm të shkrihemi në AAK si subjekt”, tha Molliqaj.

Ai ka shtuar se lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka marrë vendime të njëanshme pa u konsultuar me partnerët e tjerë opozitar kur shkoi në takim tek ish- presidentja Jahjaga, kur vendosi të japë dorëheqje prej postit të deputeti dhe kur morri vendim që AAK si grup parlamentar të tërhiqet nga Kuvendi.

Molliqaj ka theksuar se me këtë gjë Haradinaj i bëri favor Kadri Veselit pasi që ky i fundit në interes kishte ta largonte gazin lotsjellës nga Kuvendi./Telegrafi/