LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj mori pjesë në 10-vjetorin e themelimit të KUSA-s

Haradinaj mori pjesë në 10-vjetorin e themelimit të KUSA-s

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në 10-vjetorin e themelimit të Kosova United States Alumni (KUSA), e themeluar dhe e financuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, e cila ka për qëllim promovimin e vlerave demokratike, parimeve dhe përvojave që anëtarët e saj i kanë fituar nëpërmjet programeve të ndryshme në ShBA.

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Haradinaj, vlerësoi rëndësinë e këtij projekti ndër vite, duke theksuar se të gjithë të rinjtë, pjesë e këtij projekti, mund ta ndihmojnë Kosovën në rrugën e saj drejt zhvillimit dhe një të ardhmeje më të mirë.


Duke theksuar përkushtimin e qeverisë në luftën kundër korrupsionit, kryeministri theksoi se ky fenomen negativ është kërcënim për të gjitha aspektet e jetës sonë. Më tej kryeministri, tha se kjo nuk është punë e lehtë, por mund të bëhen ndryshime në vendin tonë me shembujt dhe ekspertizën amerikane.

Kryeministri Haradinaj, tha po ashtu se të gjithë janë të kënaqur me lajmin se Kosova tashmë ka një investim të madh në energji, pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet Qeverisës dhe “Contour Global”, investim ky që përkon me përvjetorin e 10-të të KUSA-s.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, tha se për 10 vjet KUSA është rritur jo vetëm për nga numri i anëtarëve, por edhe për nga ndikimi, ngase projekti i saj po shtrihet në tërë Kosovën, dhe se ndihet i impresionuar me punën e organizatës dhe anëtarëve të saj të cilët dijen e tyre po e implementojnë në praktikë.