eksperti ad

Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas mbylljes së qumështores "Vita", duke e cilësuar këtë veprim si një goditje të rëndë ndaj prodhimit vendor, fermerëve dhe ekonomisë së vendit.

Përmes një reagimi publik, Haradinaj ka akuzuar Qeverinë në detyrë se, sipas tij, ka ndikuar në mbylljen e njërit prej prodhuesve më të mëdhenj të qumështit në Kosovë.


“Goditja ndaj qumështores 'Vita' është goditje ndaj prodhimit vendor, ndaj fermerit të Kosovës dhe ndaj çdo familjeje që jeton nga puna e ndershme. Mbyllja e njërit prej prodhuesve më të mëdhenj vendorë, me direktiva të Qeverisë në detyrë, nuk është vetëm sulm ndaj një kompanie. Është goditje ndaj mijëra fermerëve që e dorëzojnë qumështin e tyre çdo ditë, ndaj qindra punëtorëve që sigurojnë bukën e familjeve të tyre dhe ndaj gjithë ekonomisë së vendit”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka kritikuar qasjen e institucioneve ndaj prodhuesve vendorë, duke thënë se, në vend të mbështetjes, ato po krijojnë pasiguri për bizneset.

“Në vend që t’i mbështesë prodhuesit vendorë, pushteti po i pengon, po i godet dhe po krijon pasiguri për investimet e tyre”, është shprehur ai.

Haradinaj ka theksuar se zhvillimi i vendit duhet të mbështetet në forcimin e prodhimit vendor dhe krijimin e vendeve të punës.

“Kosova nuk ndërtohet duke mbyllur fabrika. Kosova ndërtohet duke mbrojtur prodhimin vendor, duke përkrahur fermerin, punëtorin dhe sipërmarrësin që investon e krijon vende pune”, ka thënë ai.

Në fund, ish-kryetari i AAK-së u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndalin, siç e ka quajtur ai, çdo vendim arbitrar që rrezikon prodhimin vendor dhe mirëqenien e mijëra familjeve kosovare./Telegrafi.