Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kritikuar Qeverinë Kurti, duke ia numëruar disa dështime në qeverisjen e deritashme.

Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, pasi ka numëruar 12 pika, në të cilat sipas tij ka dështuar Qeveria Kurti, e ka sqaruar se çka po ia vështirëson Kosovës ecjen përpara.


“Pra mund të themi që majtizmi ekstrem po e dërgon Kurtin dhe Vetëvendosjen drejt luftës së klasave dhe në luftë kundër aleatëve, që nënkupton po ia vështirëson Kosovës mundësinë e ecjes përpara!”, ka shkruar Haradinaj.

Postimi i plotë i Haradinajt:“Kjo është qeveria Kurti: - Mbushja shpejt e arkës dhe shterimi i burimeve - Frikësimi i kapitalit vendor, nxjerrja jashtë e tij dhe si rezultat ulja e investimeve. - Armiqësimi me sektorin privat dhe si rrjedhojë thellimi i mosbesimit të tyre dhe mospërkrahja nga ana e tyre e qëllimeve ekonomike - Lufta kundër UÇK-së, e zhvilluar si luftë ndaj pushtetit të keq të dy dekadave, e që si pasojë ka zbehjen e patriotizmit dhe të ndjenjave atdhetare për shtet. - Në politikë të jashtme, i frikësuar nga dialogu dhe i frikësuar nga Amerika. - Në siguri dhe rend publik, improvizime dhe lëvizje eksperimentale, kryesisht populiste, përfshirë edhe luftën kundër krimit. - Politizim i iniciativave ligjore me agjendë partiake. - Mosimplementim i pavarësisë energjetike dhe faturimi i energjisë në Veri, si rezultat pagesa e dhjetëra milionave për rrymën e shpenzuar në Veri. - Refuzim dhe dëmtim i mundësive investive në energji, i projekteve si Kosova e Re, Contour Global 500 MË dhe Gazsjellësi Amerikan me 200 milionë dollarë falas. - Zhytja në korrupsion përmes tenderomanisë, pra tenderë njëburimor, dhënia e punëve punëdhënësve të mëhershëm, i pasuar me familjarizëm, pra punësime të familjarëve në poste kyçe, e pastaj politizim i bordeve të kompanive. E gjitha kjo në funksion të një lidhjeje të shkurtër për korrupsion dhe veprime joligjore, e që janë alarm për Kosovën. - Sulmet e ulëta nga militantët imagjinarë në internet, të paguar me parat e buxhetit të popullit, e tregojnë fytyrën e kësaj Qeverie. Të gjitha këto sulme vijnë si rrjedhojë e mungesës së vizionit dhe të pafuqisë me veprim qeverisës. - Mosbuxhetimi dhe mosmiratimi i ligjit të pagave dhe lufta kundër sindikatave, poashtu është alarm në vete. Pra mund të themi që majtizmi ekstrem po e dërgon Kurtin dhe Vetëvendosjen drejt luftës së klasave dhe në luftë kundër aleatëve, që nënkupton po ia vështirëson Kosovës mundësinë e ecjes përpara!”, ka shkruar Haradinaj. /Telegrafi/