Ai tha se kryeadministratori i UNMIK-ut nuk duhet të marrë rolin e lehtësuesit të bisedimeve, meqë Kosova është një vend i pavarur dhe ajo mund të identifikojë vetë temat për biseda të ndërsjella me Serbinë dhe në rast nevoje edhe ta identifikojë lehtësuesin në këtë process.

Haradinaj ka vlerësuar se Kosova nuk ka qenë e suksesshme në politikën e jashtme dhe ka humbur disa mundësi deri tani që të jetë anëtare e OKB-së. Ai e ka kritikuar qeverinë aktuale të kryeministrit Hashim Thaçi për ngecje në dinamikat qeverisëse dhe në veçanti për ngecjen e procesit të njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Sipas tij situata në veriun e Kosovës ka degraduar në krahasim me gjendjen e para 17 shkurtit, kur Kosova ka shpallur pavarësinë e saj, mirëpo ka shtuar se ka shumë mundësi që të gjendet një zgjidhje e duhur për këtë pjesë.

Kreu i AAK-së po ashtu ka takuar të dielën udhëheqësin e njërës prej partive politike në opozitë, AKR, Bexhet Pacollin për të kërkuar mënyra për aktivizimin e opozitës në vend. /bbc/