Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim Haxhi Dedë Edmond Brahimaj, Kryegjysh i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.

Sipas njoftimit për media, kryeministri Haradinaj tha se ka kënaqësinë e madhe të jenë sot bashkë dhe të bisedojnë për temat mbarëshqiptare por edhe ato që i përfaqësojnë ata, duke thënë se ndihet mirë për përfaqësimin që na e bën si shqiptarë.

Njëkohësisht, për kontributin e tij në për përhapjen e vlerave mes njerëzve dhe çështjeve shqiptare, kryeministri në detyrë, Haradinaj, e ka nderuar Haxhi Dedë Edmond Brahimaj, Kryegjysh i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane me medaljen e Gjergj Kastriotit- Skënderbeu, sipas një vendimi të marrë më 17 korrik.

“Sot kam nderin që në emër të Qeverisë së Kosovës të ju dorëzoj dekoratën, pra medaljen e kryeheroit “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, të ndarë me 17 korrik 2019, si shenjë respekti dhe nderimi për punën e bërë”, tha kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.

Në njoftim thuhet se Haxhi Dedë Edmond Brahimaj, Kryegjysh i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane e falënderoi kryeministrin Haradinaj për pritjen e sotme por edhe për vlerësimin që kryeministri ia bëri me ndarjen e dekoratës, duke e quajtur këtë si një nder të madh./Telegrafi/