LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj: Buxheti është një projeksion i qëndrueshëm, rriten pensionet dhe stabilizohen çmimet

Haradinaj: Buxheti është një projeksion i qëndrueshëm, rriten pensionet dhe stabilizohen çmimet

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për Buxhetin 2019, ku prioritet do të jetë zhvillimi ekonomik dhe social.

Kryeministri Ramush Haradinaj, pas miratimit të projekt buxhetit ka thënë se Projektligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019, ka për prioritetet mbrojtjen, rendin, shëndetësinë, arsimin dhe mjedisin, shkruan Telegrafi.


“Lajme të mira janë posaçërisht rritja e pensioneve, si dhe stabiliteti i çmimeve edhe për vitin 2019. Buxheti është një projeksion i qëndrueshëm, i hartuar në mbështetje të dinamikave të reja të qeverisjes, në favor të zhvillimit ekonomik dhe social, duke rritur investimet kapitale në të gjitha fushat”, ka shkruar kryeministri Haradinaj në profilin e tij në Facebook.

Ndryshe, të hyrat e përgjithshme buxhetore në vitin 2019, pritet të jenë në shumën 2,370 milionë euro (dy miliardë e treqind e shtatëdhjetë milionë euro), ndërsa shpenzimet në vlerë 2,365 milionë euro (dy miliardë e treqind e gjashtëdhjetë e pesë milionë euro).

Gjatë prezantimit të Projektligjit, ministri i Financave Bedri Hamza ka theksuar se përgatitjet e këtij propozimi të Buxhetit për vitin 2019 janë zhvilluar në pajtim me legjislacionin dhe janë në përputhje me të gjithë parametrat financiar dhe ekonomik të vendit tonë.

Projektligji mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019, do të procedohet për miratim në Kuvendin e Kosovës. /Telegrafi/