Haradianj shkon në takim te presidentja Osmani

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka nisur sot një raund takimesh me liderët e partive politike, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar pas krizës institucionale në vend.
Fillimisht, Osmani ka zhvilluar takime të ndara me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, dhe atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Në vazhdim të konsultimeve, në objektin e Presidencës është parë duke hyrë edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ende nuk ka një njoftim zyrtar nga Presidenca lidhur me përfundimet apo propozimet që kanë dalë nga këto takime.
Përkundër plot 40 përpjekjeve, deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur ende ta konstituojnë institucionin ligjvënës.
Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt.
Ekspertët e çështjeve ligjore-kushtetuese thonë se aktgjykimi i Kushtetueses duket se nuk solli zgjidhje për krizën institucionale në Kosovë, ndaj, sipas tyre, zgjidhja mund të vijë vetëm përmes një marrëveshjeje politike, ose me ndërhyrjen e presidentes./Telegrafi/












































