LAJMI I FUNDIT:

Hapi para drejt ndërkombëtarizimit të çështjes çame

Hapi para drejt ndërkombëtarizimit të çështjes çame

Në organizatat ndërkombëtare ka ndodhur diçka e rëndësishme që meriton vëmendje dhe për të cilën do të vazhdojë të flitet gjatë. Bashkimi Evropian, respektivisht Komisioni Evropian në gojën e Komisionerit për Zgjerimin, Johannes Hahn, ka filluar të flasë për ekzistencën e një çështjeje çame. Çështja çame duhet zgjidhur në kuadër të një mekanizmi dypalësh të përbashkët që do të mblidhet periodikisht dhe Komisioni Evropian e mirëpret këtë mekanizëm.

Këtë e pohon Hahn, e pohon Komisioni Evropian, e pohon Bashkimi Evropian dhe ky është një përparim, i cili u pa si alarmues nga diplomacia greke. Ajo reagoi duke e quajtur të njëanshëm këtë njohje evropiane të çështjes çame. Paradoksalisht sa më shumë që Ministria e Jashtme greke alarmohet duke reaguar publikisht, aq më shumë iu shërbye ndërkombëtarizimit të asaj që në Shqipëri quhet çështja çame, të bërjes publike të saj brenda institucioneve mediave dhe ndërgjegjes evropiane.


Dhe ç’është më interesantja, në reagimin e saj publik, si përgjigje ndaj palës së zemëruar greke, zëdhënësja e Komisionit, Maja Kocijancic, rikonfirmoi qëndrimin e Komisionerit Hahn pa u tërhequr konceptualisht. Komisioni Evropian ripërsëriti nevojën që çështje të mbartura nga e kaluara duhen zgjidhur sipas këtij mekanizmi të përbashkët. Terminologjia ishte përdorur nga pala shqiptare në komunikimin diplomatik me palën greke. Pra, reagimi i Komisionerit Hahn nuk ishte rastësor dhe as gabim burokratik, por qëndrim institucional i konsoliduar.

Kjo do të thotë se çështja çame është ndërkombëtarizuar. Nuk është më çështje midis Shqipërisë dhe Greqisë. Çështja çame ka hyrë praktikisht në gjuhën, në komunikimin e diplomacisë evropiane brenda institucioneve të saj, apo me vendet anëtare. Rasti që e nxiti këtë ndërkombëtarizim ishte autogol i Greqisë: si përgjigje ndaj ankesave të politikës fqinje. Eurodeputja greke Spirakis, me dëshirën për të bllokuar integrimin evropian të Shqipërisë, i ka paraqitur BE-së si alarmuese disa deklarime të aktorëve shqiptarë në lidhje me çështjen çame.

Përfaqësuesja e NEA Demokracisë kishte përmendur pjesëmarrjen e Kryeministrit Rama në Kongresin e PDIU-së, protestën e Shoqatës Çamëria para Ministrisë së Jashtme me rastin e vizitës së ministrit Kozias dhe pjesëmarrjen e PDIU në qeveri, si shkelje të parimeve të fqinjësisë së mirë nga ana e vendit tonë. Kjo deputete i kërkonte Komisionerit që faktet në fjalë të përmendeshin si problematike në Progresraportin për Shqipërinë. BE bëri të kundërtën: e vlerësoi Shqipërinë dhe foli me gjuhën e diplomacisë së saj, për ekzistencën e çështjes çame dhe nevojën e zgjidhjes së saj si çështje e mbartur historike!! Komisioneri Hahn e injoroi letrën greke dhe pohoi të kundërtën e saj!.

Ky është një përparim historik që nuk ka ndodhur më parë. Ky përparim historik-pranimi prej BE-së i vizionit të Shqipërisë, i mekanizëm zgjidhjes së propozuar prej saj për problemet me Greqinë, ka ndodhur si pasojë e disa faktorëve.

Së pari, angazhimit të fortë publik të një partie politike si PDIU brenda dhe jashtë vendit, si pasojë e presionit të PDIU-së brenda shumicës që qeveris vendin.

Së dyti, për shkak të përfshirjes së çështjes çame në programin qeveritar.

Së treti, si pasojë e raporteve të forcës brenda shumicës.

Së katërti, prej dobësimit ndërkombëtar të Greqisë dhe posaçërisht brenda BE-së.

Së pesti, prej analizës realiste të problematikës shqiptaro-greke prej Komisionit Evropian. Tashmë i pranuar prej BE-së, ky mekanizëm, veç marrëveshjes së detit, merr përsipër të trajtojë zgjidhjen e problemeve të të drejtave të minoriteteve respektive në të dy vendet. Greqia kurrë pas Luftës së Dytë Botërore nuk ka pranuar se ka minoritet shqiptar. Ndërsa Bashkimi Evropian nëpërmjet kësaj përgjigjeje e konsideron si fakt ekzistencën e dy minoriteteve përkatëse në të dy vendet që kanë probleme për t’u zgjidhur.

A nuk është dhe ky një diferencim në gjykimin e një fakti historik midis Bashkimit Evropian dhe Greqisë? A nuk është ky përparim real? Gjuha e institucioneve si Komisioni nuk është një gjuhë rastësore. Ajo është gjuhë e përpunuar. Ajo nuk është gjuhë e një shteti të vetëm, por është mesatarja e gjuhës së gjithë shteteve anëtare. Prandaj këto dy përparime janë përparime historike në rrugën e zgjidhjes së çështjes çame brenda problemeve historike dhe aktuale të minoritetit shqiptar në Greqi. Orteku ngjan i vogël në pjesën fillestare të rrugës së tij. Por më pas ai nuk ndalet.

Fuqia e këtyre dy përparimeve bëhet dhe më e madhe nëse mbahet parasysh se BE nëpërmjet Komisionerit Hahn e ka potencuar ekzistencën e këtyre dy çështjeve, duke iu kundërvënë diplomatikisht një qarjeje tradicionale të politikës greke. Ky reagim i Hahn-it kishte mbetur disa javë në sirtaret e diplomacisë greke si pohonin gjithë mediat greke. Madje dhe kur diplomacia helene reagoi e alarmuar zyrtarisht, Komisioni ripërsëriti qëndrimin.

Cila është pjesa tjetër e këtij qëndrimi që ka vlerë për Shqipërinë për afrimin e saj në BE, pavarësisht shkopinjve grekë? Progresraporti do të vijojë të jetë pozitiv për sjelljen rajonale të Shqipërisë. Komisioneri Hahn zgjodhi ta kundërshtonte Greqinë duke vlerësuar vendin tonë për politikën rajonale; për shkëmbimet e vizitave diplomatike; për krijimin e një mekanizmi dypalësh që do të zgjidhte çështjet e lartpërmendura.

Zgjedhja e kësaj gjuhe, e këtyre termave, realisht të përdorur nga diplomacia shqiptare, është triumf i kësaj diplomacie në arenën rajonale dhe në atë evropiane. Pra, mund të përparosh drejt integrimit pa bërë koncesione, por duke treguar dinjitet. Në të vërtetë, Bashkimi Evropian ka duartrokitur propozimet e diplomacisë shqiptare si tërë- sisht në përputhje me standardet e veta. Diplomacia evropiane nuk i ka quajtur si problematike për t’i përmendur në Progresraportin për Shqipërinë, as protestën e Shoqatës Çamëria, as pjesëmarrjen e PDIU-së në qeverisje dhe as fjalimin e Ramës, si momente që dëmtojnë politikën e fqinjësisë së mirë të Shqipërisë.

BE mund të ketë krizat e veta të brendshme, por ajo së bashku me SHBA-të janë të vetmet fuqi perëndimore, prodemokratike të botës që përcaktojnë axhendën diplomatike të botës në linja të përgjithshme. Sot këto dy fuqi janë në krahun tonë. E gjitha kjo që ndodhi në lidhje me çështjen çame, e ripërsëritur prej Komisionit Evropian, nuk është ngjarje rastësore, as gabim burokratësh evropianë, por një kambanë vetëdijësimi historik që tmerroi median dhe institucionet greke. Dhe me siguri pas kësaj kambane do të ketë një vazhdim.