Hansi Flick me rrëfim emocionues: Barcelona më ka ndryshuar jetën

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, deklaroi të hënën se periudha e tij në klubin katalunas e ka ndryshuar rrënjësisht, duke folur me sinqeritet në prag të përballjes në Ligën e Kampionëve ndaj Olympiacos Piraeus.
Tekniku gjerman pranoi shpërthimet emocionale të fundit, përfshirë edhe përjashtimin nga fusha në fitoren dramatike 2-1 ndaj Gironas të shtunën në La Liga, ku Ronald Araujo shënoi golin vendimtar në kohën shtesë.
“Nuk jam më nervoz se më parë, ndoshta emocionet e mia nuk janë si dikur”.
“Mbaj mend kur isha te Bayern Munich, kur fituam 8-2 ndaj Barcelonës, dhe nuk buzëqesha as me tetë golat. Tani kam më shumë emocione; ky klub më ka ndryshuar plotësisht. Mund të them se e dua këtë klub, e dua Barcelonën, i dua njerëzit këtu — është e pabesueshme, dhe jap gjithçka për këtë klub”.
“Të jem i sinqertë, nuk më pëlqen kur e shoh veten në TV, dhe nuk dua që nipërit e mi të më shohin ashtu. Ndoshta duhet të ndryshoj sjelljen time”.
And we love you too, coach 🫶 pic.twitter.com/yA7XQJrT4q
— FC Barcelona (@FCBarcelona) October 20, 2025
Barça po përballet me një periudhë të vështirë për shkak të dëmtimeve të shumta të lojtarëve kyç si Robert Lewandowski, Raphinha, Ferran Torres dhe Dani Olmo.
Në mungesë të alternativave, Flick pritet të aktivizojë në sulm një treshe të përbërë nga Fermin Lopez në krahun e majtë, Marcus Rashford si qendërsulmues dhe Lamine Yamal në krahun e djathtë.
“Marcus mund të luajë si numër 9 ose 11. E vlerësojmë shumë faktin që mund të luajë në disa pozicione. Ai na ka dhënë shumë gjëra pozitive dhe, natyrisht, mund të luajë si sulmues qendror”.
Aktualisht, Barcelona renditet në vendin e 16-të në Ligën e Kampionëve, me tre pikë nga dy ndeshje, ndërsa Olympiacos është në vendin e 29-të me një pikë.
Klubi katalanas ka paraqitur apel për kartonin e kuq të Flick, me shpresën që të jetë në stol në ndeshjen e fundjavës kundër Real Madridit, edhe pse vetë trajneri pranon se kjo është pak e mundshme.
“Nuk kisha asgjë kundër gjyqtarit, nuk po ankohesha tek ai, por ai e pa ndryshe dhe duhet ta pranoj”.
“Sot atmosfera ishte shumë e mirë. Më pëlqen të shoh këtë frymë. Jemi një skuadër e re që ka nevojë për këtë energji”./Telegrafi

















































