Hansi Flick flet për të ardhmen e Rashford mes zërave për largim

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, është shprehur i kënaqur me ndikimin që ka pasur Marcus Rashford, i huazuar nga Manchester United, por ka theksuar se vendimi përfundimtar për një transferim të përhershëm i takon drejtorit sportiv Deco dhe drejtuesve të klubit.
“Paraqitjet e tij kanë qenë të mira deri më tani, por kjo është diçka që duhet ta menaxhojmë së bashku me Decon dhe klubin. Ende kemi mjaft kohë përpara, muaj të tërë,” ka deklaruar Flick.
“Marcus është një lojtar i nivelit të lartë dhe ne e kuptojmë situatën e tij. Ne jemi Barça dhe jemi një nga klubet më të mira në botë”.
Trajneri gjerman bëri edhe një krahasim me filozofinë e klubit ndaj lojtarëve të rinj nga La Masia.

“Është njësoj si ajo që them për lojtarët e La Masias. Ne u japim mundësinë të luajnë dhe u besojmë atyre”.
“Nëse dëshiron të luash për Barçën, ne do të jemi 100 për qind pas teje. Këtë dua ta shoh edhe nga lojtarët e tjerë”, përfundoi ai.
Kujtojmë se Barcelona do të zhvillojë ndeshjen e saj të radhës të dielën, ku do të luajë si mysafire e Real Sociedadit./Telegrafi/





















































