Ministri i Financave, Bedri Hamza, në seancën e Kuvendit të Kosovës, tha se buxheti për vitin 2019 do të jetë 2 miliardë e 80 milionë euro.

Hamza gjatë prezantimit të buxhetit, shtoi se rritja ekonomike gjatë vitit të ardhshëm do të jetë 4.7 për qind.

“Mundësitë për financim janë të kufizuara, por që duhet të manovrojmë brenda këtyre mundësive aktuale. Rritja ekonomike e vendit sipas matjes së produktit të Brendshëm Bruto do të jetë 4.7 për qind, ndërsa në aspekt nonimal do të jetë 5.4 për qind e mbështetur nga konsumi, investimi dhe konsumi”, tha Hamza, shkruan Telegrafi.

Ai tha se të hyrat janë rritur për 7.3 për qind, ndërsa shpenzimet janë 265 milionë euro më shumë.

“Të hyrat për vitin 2019 do të jenë 1 miliard e 949 milionë euro, një rritje 7.3 për qind, ku nga të hyrat tatimore do të jenë 7.7 për qind më shumë, ndërsa nga të hyrat direkte do të jenë 8 për qind. Sa i përket të hyrave jotatimore, do të jetë e njëjta qoftë në nivel qendror dhe ai lokal, pasi që komunat nuk kanë treguar performancë të mjaftueshme. Rritje të theksuar do të ketë te investimet kapitale. Rritje do të ketë edhe në nivel lokal, të hyrat nga grantet dhe do të janë 265 milionë më shumë”, tha ai.

Sipas tij, shpenzimet rrjedhëse janë rritur për 13 për qind dhe investimet kapitale me 11 për qind.

“Gjithsej shpenzime buxhetore do të jenë në vlerë pre 2 miliardë 365 milionë euro, që paraqet një rritje prej 261 milionë euro, nëse e krahasojmë me vitin aktual apo 12.5 më shumë. Ky propozim buxhet ofron më të mirën për qytetarët dhe ekonominë tonë, duke pasur parasysh kufizimet që na imponohen nga shumë faktor të brendshëm dhe të jashtëm”, ka thënë ai.

Hamza u ndal edhe te rritja e investimeve kapitale, ku numëroi projektet që do të realizohen dhe përmendi rritjet e investimeve për shëndetësi, edukim, ekonomi dhe siguri. /Telegrafi/