Ekstremistët e majtë ndër demonstruesit kundër samitit të G20-ës që nis punimet të premten në Hamburg synojnë revolucion botëror dhe që t’i jepet fund sistemit kapitalist. Në Hamburg ata nuk do t’i arrijnë këto të dyja. Edhe protestat kundër globalizimit kanë ngjashëm po aq kuptim sikur të protestoje kundër rrjedhës së kohës. Për aq kohë sa demonstruesit qëndrojnë paqësor, ata duhet ta ndjekin ritualin e tyre, që përjeton çdo samit në vendet demokratike. Por, protestat e planifikuara nuk janë më shumë se sa një karneval politik.

Më me kuptim do të kishin qenë demonstratat konkrete p.sh. kundër shkeljeve të të drejtave të njeriut në Kinë, Rusi, Turqi apo në Arabinë Saudite. Më me dobi mund të ishin protesta kundër politikës tregtare dhe neonacionalizmit të dështuar të presidentit harbut Donald Trump. Manifestime dhe „rezistencë” kundër sistemit politik të lirisë në Gjermani, që i mundëson grumbullimet për demonstratë, duhet të refuzohen prerazi.

Dhuna nuk duhet të jetë mjet i përballjes politike. Është mirë, që policia këtu nuk do të tregojë tolerancë. Turmës në bllok, që ngjashëm si huliganët e futbollit duan të rrihen me policinë, nuk duhet t’i jepet forum. Në vigjilje të samitit të G20-ës me siguri shumë gjëra janë ekzagjeruar. Përhapje paniku ka nga të dyja palët. Liria e grumbullimit për kundërshtarët e G20 do të garantohet. Por një të drejtë themelore për kalimin e natës nëpër kampe demonstruesish apo të tjera organizime folklorike demonstratash nuk do të ketë në parqet e Hamburgut. Por në rast dyshimi të ndihmon t’i hedhës një sy rregullores së ligjeve përkatëse.

Kritikët, që tani ankohen, se një samit i tillë i politikës botërore nuk duhet të organizohet në një qytet të madh, ku të majtë radikalë dhe të majtë ekstremistë me sa duket dominojnë lagje të tëra, nuk kanë të drejtë. Edhe për përfaqësuesit e 19 shteteve dhe të BE-së vlen liria e grumbullimit. Natyrisht ata duhet të jenë në gjendje, që të takohen dhe të konsultohen, edhe pse me gjasë prej kësaj nuk do të ketë shumë rezultate konkrete.

Angazhimi masiv i policisë është i nevojshëm për të mbrojtur pjesëmarrësit në samit, por në radhë të parë për t’i drejtuar demonstruesit që të veprojnë sipas rregullave. Sa më shumë protesta njoftohen, aq më shumë rriten kërkesat ndaj sigurisë. Sa më shume forca policie, aq më të mëdha janë protestat.

E pra nga të dyja anët përforcohen radhët reciprokisht. Megjithatë organizimi i një samiti duhet të jetë i mundur në qendër të një qyteti në mes të Gjermanisë. Spostimi nëpër fshatra sikurse qe rasti me samitet e mëparshme të G20-ës në Gjermani (2007) në Heiligendamm apo (2014) në Elmau vitet e fundit gjithashtu janë kritikuar. Në këto zona idilike të fuqishmit ishin izoluar, por demonstruesit ia dolën që të dëgjohet jehona e tyre. E pra ç’duhet bërë?

Lind pyetja, nëse të tilla samite janë vërtetë të nevojshme. Përgjigja është: Po. Kryetarët më të rëndësishëm të qeverive në botë duhet të flasin me njeri-tjetrin. Heshtja të çon në keqkuptime. Njohja personalisht zëvendëson shumë shkresa dhe analiza. Në Hamburg një president i papërvojë i SHBA-së Donald Trump për herë të parë do të takohet me presidentin rus me përvojë Vladimir Putin. Kjo është ngjarja më e rëndësishme në Hamburg. Nëse këta të dy nuk do të kuptohen, kjo mund të ketë pasoja negative për Europën dhe pjesën tjetër të botës.

Përveç kësaj bota duhet të përjetojë, se ç’qendrim ka presidenti turfullues i SHBA-së lidhur me tregtinë botërore dhe krizën në Korenë e Veriut. Hamburgu do të jetë një Trump-Show e vërtetë. Qysh në samitin e G7-ës në Itali në fund të majit ai dominoi me politikën e vet absurde. Temat e mirëfillta të G20-ës, për të cilat u themelua ky formacion dikur, si menaxhimi i krizës financiare dhe avancimi i zhvillimit ekonomik, do të mbeten në sfond. Klima, tregtia, migracioni? Mesazhi nga Hamburgu do të jetë: Trumpi kundër pjesës tjetër të botës. Kjo është mjaft dëshpëruese. Ndaj imazhet e demonstratave të dhunshme vërtetë që nuk do t’i shërbenin askujt.

Por, një ngushëllim i vogël: Samiti tjetër i G20-ës në Gjermani me gjasë mund të zhvillohet në vitin 2037.