Halil Kastrati ndryshon jetën e një të moshuari brenda 24 orësh

Humanisti dhe hoxha Halil Kastrati ka ndërmarrë një veprim humanitar të veçantë duke strehuar një të moshuar të vetmuar dhe të braktisur në komunën e Malishevës.
Sipas njoftimit të bërë nga Kastrati në Facebook, i moshuari kishte qenë i rrënuar fizikisht dhe emocionalisht, i ftohtë, i uritur dhe i izoluar, duke shfaqur shenja të qarta lodhjeje dhe dëshpërimi.
Brenda vetëm 24 orëve që pas ndërhyrjes, i moshuari është dërguar në shtëpinë e të moshuarve, ku ka marrë trajtim të plotë: është larë, është veshur, ushqyer dhe ngrohur, ndërkohë që ka marrë mbështetje dhe respekt të plotë.
“Dhe mbi të gjitha, iu kthye shpresa. Sytë që dje ishin të fikur, sot qeshin, trupi që dje mezi qëndronte, sot ecën me dinjitet,” shkruan Kastrati në postim.
Ky rast tregon fuqinë e veprave humanitare të shpejta dhe të përkushtuara, duke ndryshuar jo vetëm pamjen, por edhe jetën e një personi të braktisur.
Kastrati falënderon të gjithë bamirësit që e mbështesin këtë punë dhe i bën thirrje shoqërisë për solidaritet ndaj më të pambrojturve. /Telegrafi/














































