LAJMI I FUNDIT:

Haki Demolli flet për transformimin e FSK-së: Këtë vit le të dominojë interesi i shtetit

Haki Demolli flet për transformimin e FSK-së: Këtë vit le të dominojë interesi i shtetit

Ministri për Forcën dhe Sigurinë e Kosovës, Haki Demolli, kërkoi nga të gjitha partitë politike në vend, të angazhohen për të gjetur zgjidhje të krizës. Sipas tij, zhvillimet e fundit në Kosovë kanë ndikuar drejtpërdrejtë në ngecjen e proceseve të rëndësishme për Kosovën, përfshirë këtu edhe atë për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur.

“Përvjetori i 18-të i Epopesë e ka gjet vendin me mospajtime e kundërshtime të theksuara mes partive. Andaj, në këtë përvjetor, kërkoj nga të gjithë akterët politikë që të lënë anash interesat e grupeve apo partive vetanake dhe të kenë parasysh vetëm interesin e popullit, ashtu siç e kishte komandanti Adem Jashari dhe shokët e tij. Dhe, të angazhohen për të gjetur zgjidhje për këtë situatë. Sepse, zhvillimet në Kosovë, me pamje të dhunshme, drejtpërdrejtë kanë ndikuar në ngecjen e proceseve të rëndësishme. Kur them këtë, kam parasysh faktin që edhe pse Qeveria e ka prioritet shndërrimin e FSK-së, ajo nuk ka ndodhur gjatë vitit të kaluar, pikërisht për shkak të zhvillimeve jonormale. Andaj duhet shpresuar që gjatë këtij viti do të dominojë interesi i shtetit. Të arrihet një zgjidhje dhe të krijohen rrethanat që Qeveria dhe Kuvendi të marrin veprimet ligjore për transformim”, ka thënë Demolli.


Ai tha se përmes krijimit forcës së Armatosur të Kosovës, Qeveria do të ngre shkallën e sigurisë së vendit, për të gjithë qytetarët pa dallim, të cilët pastaj do të jenë më të sigurt.

Këto deklarata, Demolli i tha në akademinë përkujtimore që po mbahet në Prishtinë, me rastin 18 vjetorit të rënies heroike të familjes Jashari. /KP/