LAJMI I FUNDIT:

Hajrizi: Kosova do më shumë liri mediale, aq sa edhe etikë profesionale

Hajrizi: Kosova do më shumë liri mediale, aq sa edhe etikë profesionale

Rektori i UBT-së, prof. dr, Edmond Hajrizi, ka vlerësuar se në Kosovë ka nevojë më shumë për lirinë e medias, për aq sa ka nevojë që në to të mbizotërojë etika profesionale.

Ai e ka thënë këtë në Konferencën “Dita Austriake-Kosovare e Lirisë së Mediave”, organizuar nga UBT, Instituti i Medias dhe shoqatës Austriake-Kosovare, te enjten. “Mediat luajnë një rol shumë të rëndësishëm, qoftë pozitiv apo negativ, ato shprehin saktësi apo pasaktësi. Prandaj, kërkohet një autonomi apo liri e tyre, në mënyrë që qytetarët të informohen shpejtë e qartë”, tha Hajrizi.


Sipas tij Kolegji UBT ka bashkëpunuar me Institutin e Kosovës për Media, në mënyrë që të ketë ndëraktivitet. Hajrizi tregoi se si rezultati i këtij bashkëpunimi janë bërë disa hulumtime për besueshmërinë e mediave, për shikueshmërinë e tyre. Po ashtu, bëri me dije se janë mbajtur debate për temën, duke e futur në këtë mes edhe konferencën e së enjtes.

Para se të fillonte debati për lirinë e shprehjes në media, rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, e ka nderuar me çmimin “Exellence Lidership Award”, diplomatin e mirënjohur evropian, dr. Erhard Busek, për kontributin e tij në rrafshin politik e shkencor, si dhe për angazhimin e tij në çështjen e Kosovës. Fituesi i këtij çmimi prestigjioz të UBT-së, ish-zëvendëskancelari i Austrisë dhe diplomati i mirënjohur evropian, dr. Erhard Busek, ndërkaq, theksoi se të gjitha çmimet që ai i merr nuk nënkuptohet se ka punuar për çmime, por për të arritur rezultate sa më te mira.

Busek, gjithashtu, ka vlerësuar se Kosova ka arritur shumë në aspektin e lirisë së medias. “Por e ndjej se puna nuk ka mbaruar këtu. Ne do t’ju mbështesim gjatë tërë rrugëtimit tuaj”, shtoi Busek, sipas të cilit gjithçka ka bërë, nuk e ka bërë që të marrë mirënjohje, sepse mirënjohja më e madhe për të është angazhimi i brezave të rinj për çështjen e Kosovës, në veçanti për lirinë e mediave. “Ju jeni përgjegjës për të ardhmen tuaj”, u shpreh Busek.

Ai gjithashtu tha se situata e lirisë së mediave duhet të përmirësohet, pasi që është shumë e rëndësishme për demokracinë në Kosovë si dhe rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian.

Sipas presidentit të Komisionit për Media, Fazli Veliu, liria e shprehjes në media është element i pandashëm nga liria e shprehjes së përgjithshme. “Kosova është larg standardit të lirisë së shprehjes dhe se gazetarët në Kosovë janë cak i personave apo grupeve të caktuara të interesit”, theksoi ai teksa shtoi se gjendja e lirisë së mediave nga viti në vit po përkeqësohet dhe ende po vazhdon të mbetet vetëm një debat i mbyllur në kuadër të publikut. Përfaqësuesja e Komisionit të Mediave në Parlamentin e Kosovës, Shqipe Pantina, pasi foli për rolin e medias, si fuqi e katërt në shtetet demokratike, vlerësoi se mediat në Kosovë kontrollohen e cenohen nga persona e grupe të caktuara të interesit.

“Liria e mediave shpesh cenohet edhe nga vetë gazetarët, si rezultat i mungesës së profesionalizmit, qëllimisht, apo që për t’u shërbyer grupeve të caktuara të interesit”, theksoi.

Pantina konsideron se edhe pse kanë kaluar 16 vjet nga lufta, media kosovare ende nuk e ka arritur fazën e pjekurisë. “Ende kemi mungesë të mediave që i shërbejnë publikut, duke e përçuar të vërtetën ashtu siç është”, u shpreh ajo.

Për eksperten e medias, Remzije Shahini – Hoxhaj, në Kosovë nuk mund të flitet për cenimin e lirisë së shprehjes në rrafsh të përgjithshëm. “Liria e shprehjes nuk ka limite. Ajo është bazike për të drejtat e njeriut dhe ne duhet të jemi më të kujdesshëm, sepse në disa momente e kemi keqkuptuar lirinë e mediave. Liria jonë mbaron kur cenohet liria e tjetrit”, u shpreh Shahini – Hoxhaj.

Sipas drejtorit të Informacionit në Klan Kosova, Gazmend Syla, secili gazetar duhet ta frenojë vetën gjatë shkrimit. “Detyra e gazetarëve është të mbledhin material, kurse shkrimi duhet të bëhet mbi fakte e ngjarje reale”, tha ai, duke kritikuar se në Kosovë, gazetarët e rinj nuk kënaqen me shkrimet që bëjnë, por vazhdojnë të bëjnë edhe komente. Ai mendon se në Kosovë ka liri të tepruar të mediave. “Gazetarët, duke u thirrur në emër të lirisë së shprehjes e keqpërdorin misionin e tyre”, tha Syla.

Adelheid Woefl, gazetare për çështjet e Ballkanit nga Austria, konsideron se në Ballkan ka më pak liri të mediave, ndonëse sipas saj, disa vende kanë arritur progres në këtë aspekt. Ajo tha se sa i përket lirisë së mediave, Kosova radhitet në vendin e 87-të, Shqipëria në vendin e 82-të, Serbia në vendin e 67-të, kurse Bosnja e Hercegovina gjendet në vendin e 66-të. Sipas saj, rënie ka shënuar Maqedonia, e cila aktualisht radhitet në vendin e 117-të.

“Disa nga mediat jo vetëm që raportojnë çka u shërben grupeve të interesit, por edhe shërbejnë si armë për t’i kundërshtuar kritikët e tyre”, u shpreh Woefl. Ligjëruesi në UBT, Ferid Selimi, tha se çdo shkrim në media duhet të jetë i interesit të përgjithshëm. “Një shkrim, që e ka aktualitetin, i ka të gjitha elementet, që do ta bënin të lexueshëm, të botueshëm, por që nuk do t’i pëlqente redaktorit, ose pronarit të medies, shkrim që do t’i prishte punë atyre të dyve, nuk ia vlen barra qiranë të merret mund e të shkruhet”. /Telegrafi/