LAJMI I FUNDIT:

Hajrizi: Konkursi për drejtor të ri të KEK shpallet në ditët në vijim

Hajrizi: Konkursi për drejtor të ri të KEK shpallet në ditët në vijim

Kryesuesi i Bordit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Faruk Hajrizi, ka thënë se në ditët në vijim do të shpallet konkursi i ri, i treti më radhë, për pozitën e drejtorit menaxhues të KEK.

Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), e udhëhequr nga Izet Mustafa, si dhe Sindikata e Re e KEK, që përfaqësohet nga Rafet Osmani, nuk po pajtohen assesi sa i përket përzgjedhjes së drejtorit të ri menaxhues të kësaj korporate, që njihet si gjigant ekonomik i Kosovës.

Të dy Sindikatat kërkojnë që në pozitën e drejtorit menaxheus të KEK-ut, që ka mbetur zbrazët që prej dorëheqjes së Arben Xhukës nga 31 maj 2018, të jetë profesional dhe ta njeh punën e Korporatës.

Por, për dallim prej Sindikatës së Pavarur të punëtorëve, Sindikata e re po insiston që drejtori i ri të jetë dikush nga brenda dhe nga menaxhmenti aktual. Kjo kërkesë për Izet Mustafen që udhëheq me Sindikatën e Pavarur të punëtorëve është ndërhyje dhe ndikim direk në përzgjedhjen e njerëzve të politikës brenda KEK-ut, duke shtuar tutje se presioni i sindikatës së re vjen edhe si ndikim i politikës për të zgjedhur ushtruesin e detyrës së drejtorit ekzekutiv Njazi Thaçin.

I pyetur në lidhje me arsyet e mos hapjes së konkursit deri më tani, pasi që ishte anuluar dy herë, ai I 4 prillit si dhe konkursi i 1 qershorit, si dhe kërkesën e Sindikatës, kryesuesi i bordit të KEK, Hajrizi ka thënë për KosovaPress se janë në konsultim me partnerin implementues të marrëveshjes së përkohshme në lidhje me rekrutkmin në KEK, Ambasadën Britanike.

“Aktualisht, Bordi i drejtorëve të KEK-ut është duke u konsultuar me partnerin implementues të Ambasadës Britanike konform Marrëveshjes së përkohshme në lidhje me projektin e rekrutimit që kjo Ambasadë ka me aksionarin, respektivisht qeverinë e vendit, dhe ku përfshihet edhe pozita e Drejtorit menaxhues të KEK-ut dhe konkursi i ri do të shpallet në ditët në vijim.Në këtë drejtim ju njoftojmë se Bordi i Drejtorëve është i përkushtuar dhe ka obligim të kryejë një procedurë të hapur, transparente dhe konkurruese e cila ka për qëllim që ky emërim të bëhet ekskluzivisht në bazë të meritës”, ka thënë Hajrizi .

Korporata Energjetike e Kosovës ka rishpallur me 1 qershor konkursin për pozitat Drejtor Menaxhues, Drejtor Ekzekutiv Financiar dhe Këshilltar i Përgjithshëm/Sekretar i Korporatës. Për pozitën e Drejtorit Menaxhues kërkohet që kandidati të ketë së paku 5 vite përvojë në nivel të menaxhmentit të lartë.

Po ashtu kërkohet që të ketë diplomë universitare në lëmin e administrimit të biznesit, ekonomisë, financave, inxhinierisë apo juridik. Për herë të parë KEK-u ka shpallur konkurs për Drejtor Menaxhues me 5 prill.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZhE) përmes një opinioni dërguar Bordit Drejtues (BD) të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka kërkuar që të rishqyrtohet vendimi për konkursin e shpallur me 4 dhe 5 prill për Drejtor Menaxhues, Zyrtar të auditimit të brendshëm, Drejtor Ekzekutiv Financiar dhe Këshilltar i Përgjithshëm/Sekretar të KEK. Ato kanë kërkuar që fillimisht t’u ndërpritet kontrata personave që janë nëpër këto pozita, e pastaj të shpallet konkursi. Në konkursin e 1qershorit të këtij viti dhe deri më tani kanë konkurruar 30 persona për drejtor të KEK-ut.

Konkurrentët janë: Besnik Hyseni; Hyrmet Mytydi Januzi; Istref Klinaku (Aktualisht mban pozitën e këshilltarit për çështje mjedisore në KEK); Ilmi Azemi; Arsim Gjinovci; Agron Haxhiu; Irfan Fejzullahu; Anisa Jakupi; Sherif Idrizaj; Lorik Haxhiu; Habib Basholli; Idriz Blakaj; Njiazi Thaçi (Aktualisht ka pozitën e Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit Menaxhues në KEK); Gazmend Amaxhekaj; Selatin Sadiku; Enver Gashi (Aktualisht është inxhinier në Termocentralin “Kosova B”); Ali Krasniqi; Përparim Kabashi (Aktualisht ka pozitën e Drejtorit për Strategji në KEK); Selatin Sadiku; Shkumbin Bozhdaraj; Aldi Bytyqi; Burim Maraj; Salih Bytyqi (Aktualisht ka pozitën e Drejtorit Ekzekutiv Financiar në KEK); Isak Kerolli (Aktualisht ka pozitën e Drejtorit të Prokurimit në KEK); Fatmir Shahini; Adil Januzi (Aktualisht mban pozitën si Drej tor i Divizionit të Qymyrit në KEK); Habib Murati; Mehmet Krasniqi; Mentor Ferizi dhe Naser Rusinovci.