LAJMI I FUNDIT:

​Hajdari: Prioritet, mbrojtja e konsumatorëve

​Hajdari: Prioritet, mbrojtja e konsumatorëve

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) , Rozeta Hajdari, në kuadër të Javës për Mbrojtjen e Konsumatorit, ka thënë se prioritet i tyre është fuqizimi dhe mbrojtja e konsumatorit.

Në konferencë për medie të premten, Hajdari tha se mbrojtja e interesave ekonomike të konsumatorëve, siguria, cilësia dhe çmimet janë kyçe për ministrinë që ajo drejton.


“Në funksion të përmirësimit cilësor të shërbimeve, MINT si prioritet ka fuqizimin e konsumatorëve në Republikën e Kosovës, të mbrojë interesat ekonomike të tyre, çështjen e sigurisë, zgjedhjes, cilësisë, çmimit, larmisë, disponueshmërisë, etj., e të ofrojë për konsumatorët mbikëqyrje bashkëkohore dhe transparencë të tregut, si dhe të mbrojë ata efektivisht nga rreziqet të cilët ata nuk mund t’i trajtojnë e zgjidhin në mënyrë individuale. Fuqizimi i konsumatorëve nuk është vetëm një e drejtë, por ka të bëjë edhe me krijimin e një mjedisi të përgjithshëm që u mundëson atyre të shfrytëzojnë këto të drejta dhe të përfitojnë prej tyre, që do të thotë krijim i një sistemi në të cilin ata mund të mbështeten”, tha ajo.

Ministrja përmendi edhe disa nga nismat që kanë ndërmarrë për fuqizimin e konsumatorëve.

“Për fuqizim të së drejtës së konsumatorit, ne kemi miratuar një sërë ligjesh e udhëzimesh administrative, që kanë impakt direkt në mbrojtjen dhe kujdesin ndaj konsumatorëve. Ligji për Mbrojtjen e Konkurrencës, Ligji për Markat Tregtare, Ligji për Inspektimet, e disa ligje tjera të miratuara vitin e kaluar, kanë forcuar aspektin rregullativ juridik. MINT ka nxjerrë edhe disa udhëzime administrative, në kuadër të kujdesit ndaj konsumatorëve, në mesin e tyre edhe ai për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme dhe masat e tjera mbrojtëse, i cili rregullon çmimet tavan”, shtoi ajo.

Ndërkaq, kryesuesja e Këshillit për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit Safete Rexhepi, tha se është rritur besimi i konsumatorëve në institucione.

Ajo tha se vetëm vitin e kaluar 1237 ankesa janë deponuar nga konsumatorët, ku shumica prej tyre janë zgjidhur.

“Këshilli është mbledhur në disa raste për të diskutuar për problemet qe konsumatori përballet. Nga aktivitetet tona kanë rezultuar zgjidhje dhe adresimin e tyre në mekanizma institucionale. Në vitin 2022, Inspektorati i Tregut ka pranuar mbi 1239 ankesa ku shumë prej tyre janë zgjidhur”, tha ajo. /kp/