LAJMI I FUNDIT:

Hajdari: Heqja e tarifës për lëndën e parë, ishte e domosdoshme

Hajdari: Heqja e tarifës për lëndën e parë, ishte e domosdoshme

Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (MEPTINIS), Rozeta Hajdari, në një konferencë për media ka folur për heqjen e tarifës për lëndën e parë të produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Ajo shtoi se heqja e kësaj tarife për lëndën e parë ishte e domosdoshme, sidomos për sektorin e ushqimit dhe ndërtimtarisë.


“Ne të gjithë e kemi përkrahur më herët këtë tarifë, por realiteti është ndryshe. Ndikimi i saj në Kosovë nuk ka qenë siç është pritur. Heqja e taksës nga lënda e parë për bizneset vendore ishte e domosdoshme, për sektorin ushqimor dhe ndërtimor. Ndonëse disa biznese kishin arritur të gjejnë lëndët e para nga shtetet tjera, duhet të pranojmë se bizneseve iu ka kushtuar më shtrenjtë sigurimi i saj”, ka thënë Hajradi.

Hajdari ka kërkuar nga aleatët ndërkombëtarë që të bëjën presion ndaj Serbisë që të heq barrierat për bizneset kosovare dhe të ndalojë fushatën e çnjohjeve.

Sipas saj, Qeveria ka vepruar duke treguar vullnet dhe përkushtim, derisa shton se presin reflektim edhe nga pala e tjetër.

“Ne kemi pas një grup punues me të cilët kemi punuar për t’i identifikuar barrierat që i kemi me Serbinë, dhe ato i kemi mbledhur në një dokument”, ka thënë ajo.

Ajo tutje ka folur edhe rreth urdhëresës së re për bizneset dhe masat e marra nga Qeveria. /Telegrafi/