LAJMI I FUNDIT:

Hahn po pret përgjigje nga Kosova për taksën ndaj mallrave serbe

Hahn po pret përgjigje nga Kosova për taksën ndaj mallrave serbe

Komisioneri Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn, shpreson që gjatë këtyre ditëve do të vijë një përgjigje nga Qeveria e Kosovës  lidhur me taksën e vendosur ndaj mallrave që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Komisioneri Hahn, siç raportojnë mediat serbe, u ka thënë gazetarëve në Bruksel se për barrierat tregtare do të bisedohet në një format të veçantë, duke potencuar se për taksën duhet të gjendet një zgjidhje


“Shpresoj në një përgjigje nga Kosova gjatë këtyre ditëve. Për këtë nisen nga fakti se gjatë këtij viti do të hapen kapituj të rinj me Serbinë dhe Malin e Zi”, ka thënë Hahn, përcjell Telegrafi.

Kërkesën për heqje të taksës e ka përsëritur edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, pas takimit që ka pasur të martën me delegacionin kosovar për dialog me Serbinë, të kryesuar nga Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti.

Mirëpo, heqjen e taksës deri tani e ka kundërshtuar Qeveria e Kosovës. Kryeministri Haradinaj është këmbëngulës se taksa ndaj produkteve që importohen nga Serbia e Bosnja e Hercegovina nuk do të hiqet derisa Serbia ta njoh pavarësinë e Kosovës.

Ditëve të fundit në media është shkruar se presidenti i vendit Hashim Thaçi mund të iniciojë heqjen e taksës, por ky i fundit nuk ka bërë ndonjë deklaratë lidhur me këtë mundësi.  /Telegrafi/