Cvetkovic ka thënë se synim strategjik i Serbisë është hyrja në BE, ndërsa kur është fjala për Kosovën, ajo është e bindur se dialogu është rruga e vetme për të gjetur një zgjidhje kompromisi.

Më herët, edhe presidenti serb Boris Tadic i ka thënë shefit të diplomacisë britanike se Serbia është e gatshme për kompromis mbi propozim rezolutën, por jo edhe të njohë Kosovën.


Hague u takua edhe me shefin e diplomacisë serbe, Vuk Jeremiq. Pas takimit, në konferencë e përbashkët për shtyp kryediplomati britanik tha se nevojitet harmonizim i rezolutës së Serbisë për Kosovën, dhe për këtë duhet një rezolutë e re, prandaj Serbia duhet ta tërheqë propozimin e saj në Kombet e Bashkuara.

Ndërsa Jeremic tha se tërheqja e rezolutës nuk është opsion, por shtoi se Serbia është e gatshme të bisedojë me të gjithë faktorët, përfshirë BE-në, në mënyrë që të arrihet mbështetje më e gjerë për rezolutën.

Ndërkohë, në një intervistë për radion serbe B92, Sekretari i Jashtëm britanik tha se “do të ishte mirë të tërhiqej rezoluta ashtu siç është e formuluar tani, ose të arrihet një marrëveshje me pjesën tjetër të Bashkimit Evropian për një rezolutë”. Ai u bëri thirrje zyrtarëve në Beograd që të gjejnë rrugë për të përmirësuar bashkëpunimin me Kosovën.

"Me rëndësi tani është të gjenden rrugë praktike për të përmirësuar bashkëpunimin midis Serbisë dhe Kosovës që të dyja vendet të mund të kenë perspektivë evropiane, që të dyja me kalimin e kohës të hyjnë në Bashkimin Evropian", tha Hague, duke shtuar se nëse Serbia nuk pranon ta tërheqë projekt-rezolutën, atëherë kjo "e bën më të vështirë kompromisin". /Agjencitë&Telegrafi/