LAJMI I FUNDIT:

Ha, ha, ha!

Ha, ha, ha!

Po, lexuese të nderuara e lexues të respektuar të kësaj rubrike të përjavshme: Ha, ha, ha! Pa fund e pa kufi. Ha, ha, ha! Pa cak e pa kapak. Ha, ha, ha! Me lot e kot më kot. Ha, ha, ha! Me gojë e me shkrim, se të qeshësh nuk është krim!

Gaz paçim, pra! Për të qenë më serioz, më duhet të pranoj para jush se kjo e qeshur më hipi në mënyrë të papërmbajtshme të premten e shkuar, pasi kisha ngrënë drekë, kur lexova në njërin prej kanaleve televizive informative më objektive një lajm që më nxori lot, pikërisht sepse më bëri të shqyhem gazit. Po, po, tekstualisht, të shqyhem gazit falë gazit… ha, ha, ha!… falë gazit… ha, ha, ha! që kishte përdorur Policia jonë e nderuar dhe e respektuar kundër protestuesve para Kuvendit tonë po aq të nderuar e të respektuar, gazmor e qesharak deri në madhështi! Vërtet që lajmi në fjalë dukej i pabesueshëm:


Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit (DPPSH), ndoshta me sugjerimin e të nderuarit dhe të respektuarit ministër të Punëve të Brendshme (MPB) apo edhe të vetë zotit Kryeministër (KM), u kërkonte ndjesë biznesmenëve të zonës rreth e qark Kuvendit të sapopërmendur për gazin e përdorur nga vartësit e tij me rastin e protestës së radhës! Sigurisht që gjesti i zotit DPPSH është fort i lavdërueshëm, madje kalorësiak, ndonëse fort absurd, për besë! Fort absurd, për besë, sepse miku im Françesk Armadhi, tek shëtiste në sheshin gungaç “Skënderbej” qenushen e tij të adhurueshme me emrin Ramka, një qenushe race e pafajshme, indiferente, apolitike dhe e virgjër, atë buzëmbrëmje lotsjellëse e gazifikuese, veçse aspak gazmore për protestuesit, pra, miku im Françesk Armadhi vuri re se Ramkës po i rridhnin lot e mezi po merrte frymë.

I trembur, ai mori një taksi që e shpuri me ngut në një klinikë për qen e mace, zogj e peshq, ku veterineri i specializuar arriti në përfundimin që qenushja e ëmbël kishte qenë viktimë njëkohësisht e gazit lotsjellës të përdorur nga Policia dhe e flladit moskokëçarës që e kishte përcjellë gazin në fjalë deri te sheshi gungaç “Skënderbej”. Për këtë arsye, jam i mendimit modest, por këmbëngulës, se zoti DPPSH duhet gjithashtu t’u kërkojë ndjesë tërë atyre zonjave e zotërinjve që, nën shembullin e zotit Françesk Armadhi, kanë qenë duke shëtitur qentë e tyre engjëllorë në ferrin e sheshit gungaç të Heroit tonë Kombëtar, kalit të të cilit Bashkia e Tiranës, në emër të të ashtuquajturit Lali Eri, duhet t’i sigurojë një maskë kundërgaz!

Ky do të ishte, nga ana e zotit DPPSH, një gjest qenësisht human dhe një dëshmi qenësore e pendesës së tij për përdorimin e gazit kundër kafshëve të pafajshme viktima të politikës sonë aq të pamëshirshme edhe për katërkëmbëshit shtëpiakë, qofshin këta edhe prej bronzi. Të njëjtin arsyetim të pakundërshtueshëm më duhet ta bëj edhe lidhur me mikun tim Aqif Qifa, pensionist i nderuar, i cili, tek po dilte atë buzëmbrëmje në ballkonin e banesës së vet, diku pranë sheshit të Pazarit të Ri, vuri re se papagalli i tij i dashur e i pazëvendësueshëm me emrin Ramush ishte rrëzuar mes glasave në kafazin luksoz që ai i kishte blerë jashtë shtetit dhe po gulçonte dhimbshëm. I trembur për vdekje nga vështrimi i mjegulluar i Ramushit të tij të shtrenjtë, si edhe nga sqepi i tij gjysmë i hapur që i kishte shkuar shtrembër, ai i telefonoi urgjencës së klinikës më të mirë veterinare në Tiranë, i dërguari i së cilës, një ish-ushtarak kimist, e shpjegoi gjendjen e të gjorit Ramush me praninë në rrugët e frymëmarrjes të gazit ramaik, një gaz njëherazi lotsjellës e mjaft toksik.

Fatkeqësisht, me gjithë përpjekjet e pakursyera të specialistit, i mjeri Ramush ndërroi jetë pas gjysmë ore, çka i shkaktoi mikut tim Aqif Qifa një krizë kardiake, prandaj e shoqja u detyrua të thërriste urgjencën e QSUT-së “Nënë Tereza”. Logjika dhe ndjenja e kërkojnë me ngulm, sipas meje të paktën, që zoti DPPSH t’i shkojë për ngushëllim mikut tim Aqif Qifa, madje t’i blejë një papagall të bukur e lozonjar dhe t’ia dhurojë pasi ai të ketë dalë shëndosh e mirë nga spitali.

Nga ana tjetër, le të më lejohet t’i bëj një propozim fort konstruktiv zotit DPPSH dhe, për dijeni, zotit MPB, madje, pse jo, edhe zotit KM, që, kur të importojnë sërish gaz për të shpërndarë protestuesit pa dallim feje e ideje, partie e gjinie, krahine e kaptine, të sjellin në atdheun tonë gazmor jo më thjesht të ashtuquajturin gaz lotsjellës, por gaz hilarant, pra, një gaz që, kur e thith, të bën të qeshësh si i shkalluar, me gjithë zemër e mushkëri, një gaz që trupat amerikanë e kanë testuar dikur gjatë luftës në Vietnam. Së fundi, o lexueset e lexuesit e mi gazmorë, le të qeshim së bashku: Ha, ha, ha! Me furi e pa kufi. Ha, ha, ha! Pa cak e pa kapak. Ha, ha, ha! Me lot e kot më kot. Ha, ha, ha! Me gojë e me shkrim, se të qeshësh nuk është krim! Gaz paçim, pra!