LAJMI I FUNDIT:

“Gylenistët”, admininstrohet si provë materiale një CD me video-incizime ku për këtë rast fliste Presidenti i Turqisë, Erdogan

“Gylenistët”, admininstrohet si provë materiale një CD me video-incizime ku për këtë rast fliste Presidenti i Turqisë, Erdogan

Në rastin e njohur si “Gylenistët”, në seancën e së martës, është bërë shikimi i CD-së me video-incizime, ku është dëgjuar një pjesë e fjalimit të presidentit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan dhe një fjalim i kryekëshilltarit të tij, Sabri Demirit, lidhur me dëbimin e gjashtë shtetaseve turq.

Këto prova materiale, kanë qenë të propozuara nga përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Urim Vokshi.


Në këtë rast, akuzohen për korrupsion ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Driton Gashi, ish-drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), Valon Krasniqi, si dhe drejtori i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë Kufitare (DMH), Rrahman Sylejmani.

Në këtë seancë, gjatë administrimit të CD-së me video-incizime, Presidenti i Turqisë, Erdogan, në një fjalim të tij është dëgjuar duke thënë: “Ja shikoni nga Kosova për gjashtë persona çka bën, Agjencia Kombëtare e Inteligjencës biseduan me ta, e paketuan, e morën, e sjellën në Turqi, ngjarja është kjo”.

Po ashtu, në video-incizim, Erdogan është dëgjuar duke thënë “Sepse është gabim historik të shkarkosh ministrin e Punëve të Brendshme dhe oficerët e Inteligjencës që na dhanë këta anëtarë të organizatës terroriste “Feto”.

Ndërsa, në një video-incizim tjetër, kryekëshilltari dhe i dërguari special i presidentit Erdogan për Ballkanin, Sabri Demiri, është dëgjuar duke thënë “Do të vazhdojmë luftën kundër tyre edhe në Turqi edhe në rajon ku edhe prej Kosovës kemi kërkuar që t’i deportojnë ata gjashtë anëtarë dhe kemi edhe kërkesa për anëtarë tjerë ndoshta, mirëpo ato Ministria e Brendshme i dërgon Ministrisë së Brendshme të Kosovës”.

I njëjti, në atë video-incizim ka thënë se komunikimet kanë qenë zyrtare dhe se kanë qenë në kontakt edhe me Presidentin e Kosovës atë kohë, Hashim Thaçi.

“Komunikimet kanë qenë zyrtare të gjitha dhe kemi qenë në kontakt edhe me presidentin Hashim Thaçin, kemi kërkuar drejtpërdrejt prej tij, kemi kërkuar prej kryeministrit, kemi kërkuar prej Ministrisë së Brendshme, gjithashtu Inteligjencat, edhe Ministrit e Brendshme të Turqisë dhe Kosovës çdo herë janë në bashkëpunim dhe kjo është legale të kërkojmë ne një deportim për një pjesëtar të një organizate terroriste dhe zyrtarisht kemi kërkuar dhe kjo është sipas marrëveshjeve që kemi mes dy shteteve”, është dëgjuar duke thënë tutje në video-incizim, Demiri.

Sipas avokatit Urim Vokshi, këto ishin pjesët relevante sa i përket këtyre video-incizimeve dhe ia tregoi gjykatës burimin e këtyre provave.

“Video e presidentit Ergodan është marrë nga kanali zyrtar në “YouTube” i Partisë së presidentit Ergodan AK Parti”, tha avokati Vokshi.

Ndërsa, për videon e fjalimit të Demirit, ai tha se është marrë nga kanali zyrtar i “Klan Kosova”, e cila e ka realizuar intervistën.

Avokai Vokshi kishte edhe një propozim për administrimin e dy provave të reja materiale. Si provë ai propozoi “Urdhrin për ndalim në Qendrën e Mbajtjes për të Huaj”, i datës 13 prill 2018, sipas tij urdhër ky i nxjerr nga drejtori i Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj tani i akuzuari Sylejmani, për shtetasin e Jordanisë, si dhe vendimin e DSHAM për të njëjtin shtetas, i 10 prillit 2018.

Sipas avokati Vokshi, përmes këtyre provave provohet se edhe këtij shtetasi të huaj i është revokuar leje-qëndrimi për arsye të sigurisë kombëtare, por sipas tij, i njëjti nuk është larguar menjëherë në procedurë urgjente dhe të fshehtë.

“Por, i njëjti me urdhrin e nxjerrë nga Sylejmani është dërguar në Qendrën e Mbajtjes për të Huaj, ku është paraparë se i njëjti duhet të qëndrojë nga data e nxjerrjes se këtij urdhri e deri në përmbushjen e procedurës për kthimin e tij, por jo më vonë se 6 muaj nga data e ndalimit në Qendrën e Mbajtjes”, tha Vokshi.

Gjithashtu, ai propozoi që përveç këtyre dy vendimeve, të nxjerret edhe e tërë dosja e shtetit jordanez, në mënyrë që të provohet se çfarë arsye kanë ekzistuar në këtë rast që të veprohet ndryshe nga rasti në këtë çështje penale.

Propozimin e avokatit Vokshi, e ka mbështetur prokurorja Habibe Salihi, ndërsa mbrojtësit e të akuzuarve, e kanë kundërshtuar në tërësi.

Sipas mbrojtësit të të akuzuarit Valon Krasniqi, avokatit Ekrem Hoxha, i mbrojturi i tij në këtë çështje penale akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe shtoi se analogjia në procedurë penale nuk aplikohet.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Sylejmani, avokati Flakron Sylejmani tha se këto prova nuk provojnë asnjë element të veprës penale lidhur me të mbrojturin e tij.

Gjithashtu, i njëjti tha se analogjia me rastin e Jordanisë është e papranueshme, pasi që sipas tij ende nuk dihet nëse kemi të bëjmë me rast të njëjtë apo jo.

Në fund, lidhur me këtë propozim, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Violeta Namani tha se gjykata fillimisht do t’i vlerësojë këto prova dhe tani për tani nuk mund të procedohet tutje.

Seancat e radhës për këtë rast janë të caktuara më 20 dhe 21 mars 2023.

Gjykata e Apelit në dhjetor 2021 ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin për herë të dytë kishte refuzuar hudhjen poshtë të aktakuzës.

Ndryshe, më 21 maj 2021, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë kishte konfirmuar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale ndaj Driton Gashit, Valon Krasniqit dhe Rrahman Sylejmanit.

Mirëpo, Gjykata e Apelit me arsyetimin se ka pasur shkelje esenciale e ka kthyer këtë rast në rivendosje sa i përket pjesës me të cilën gjykata e shkallës së parë ka refuzuar si të pabazuara kërkesat e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Me vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, përpos konfirmimit të aktakuzës, kjo gjykatë kishte aprovuar disa propozime të mbrojtjes për shpalljen e papranueshme të disa provave.

Ndërsa, pas kthimit të rastit në rivendosje gjykata e shkallës së parë më 28 gusht 2021 sërish kishte refuzuar kërkesat e mbrojtjes, hudhjen poshtë të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave me arsyetimin se në shkresat e lëndës ka prova të mjaftueshme të cilat e mbështesin dyshimin e bazuar mirë së të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohet.

E që ky vendim më 16 dhjetor 2021 është vërtetuar edhe nga gjykata e shkallës së dytë, duke refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes.

Ndryshe, më 26 prill 2021 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte mbajtur shqyrtimin e dytë për këtë rast, gjatë të cilës seancë të akuzuarit përmes mbrojtësve të tyre kishin paraqitur kërkesat për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Ish-shefi i AKI, Driton Gashi, drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në MPB, Valon Krasniqi si dhe drejtori i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë së Kufitare, Rrahman Sylejmani kishin kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë hudhjen e aktakuzës ndaj tyre, duke kundërshtuar edhe provat që gjenden në të.

Ndërkaq, prokuroja Habibe Salihi kishte kërkuar konfirmimin e aktakuzës, me të cilën Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) e ngarkon Driton Gashin, Valon Krasniqin dhe Rrahman Sylejmanin për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, kurse Sylejmanin edhe për veprën penale të privimit të kundërligjshëm nga liria.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 24 shkurt 2021, Driton Gashi akuzohet se si person zyrtar në kohën e kryerjes së veprës penale drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, tutje AKI, prej 23 mars 2018, e deri më 29 mars 2018, në Prishtinë, me qëllim që shtetasit e Republikës së Turqisë, Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Hyseyn Demir dhe Mustafa Erden, që kishin leje qëndrim të ligjshëm dhe të drejtën e punës në Kosovë dhe Osman Karakoya që kishte bërë kërkesë për leje qëndrim në Kosovë, e të cilit procedura nuk i kishte përfunduar, t’i dëbojë me forcë kundërligjshëm nga Kosova dhe t’i dorëzojë tek autoriteteve turke.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Driton Gashi akuzohet se keqpërdori detyrën zyrtare, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare sipas kompetencës, në atë mënyrë që Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, më tutje DSHAM, të MPB i rekomandoi revokimin e lejeve të qëndrimit për shtetasit turq Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Hyseyn Demir dhe Mustafa Erden dhe mosdhënien e lejes për Osman Karakoya, për arsye se kinse ata paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, fakt që nuk është provuar fare në procedurë të zbatuar në bazë të ligjit, ndërsa të akuzuarit Rrahman Sylejmani, drejtor i Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj në Ministrin e Punëve të Brendshme, tutje DMH, i kishte rekomanduar nxjerrjen e gjashtë urdhrave për dëbimin e të dëmtuarave me forcë nga Republika e Kosovës.

PSRK-ja pretendon se i akuzuari Driton Gashi, për këtë procedurë dhe për dëbimin e të dëmtuarve me forcë nga Republika e Kosovës, nuk e ka njoftuar Presidentin dhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës, siç parashihet me Ligjin për AKI dhe as Kryeprokurorin e Shtetit siç parashihet me nenin 25 të Ligjit për AKI, dhe se ka tejkaluar po ashtu kompetencat duke përfshirë AKI, në aranzhimin e udhëtimit, transportin dhe pjesëmarrjen në operacionin e dëbimit që nuk ishin kompetenca të agjencisë që drejtonte, pastaj u angazhuan drejtpërdrejt në aksionin e dëbimit të tyre ani pse kjo nuk ishte në kompetencën e tij.

Me këto veprime, PSRK-ja e ngarkon të akuzuarin Driton Gashi se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të KPK-së.

Sipas kësaj aktakuze, Valon Krasniqi akuzohet se si person zyrtar, drejtor në DSHAM në MPB, në periudhën kohore prej 23 mars 2018 dhe gjer më 29 mars 2018, keqpërdori detyrën zyrtare duke mos i përmbushur detyrat zyrtare sipas kompetencës, në atë mënyrë që në kundërshtim me 91 të Ligjit për të Huaj, mori vendim për revokimin e lejeve të ligjshme të qëndrimit të të dëmtuarave shtetasve Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Husein Demir dhe Mustafa Erden dhe në kundërshtim me nenin 44 të të njëjtit ligj për Osman Karakoya, që ishte në procedurë për marrjen e lejes së qëndrimit, pa u përfunduar ajo me vendim të formës së prerë, mirëpo veproi vetëm duke u bazuar në rekomandimin e të akuzuarit Driton Gashi për revokimin e lejeve të qëndrimit për shtetasit turq dhe pa vërtetuar fare nëse informacionet e AKI plotësojnë kriteret ligjore të përcaktuara me ligj për të vërtetuar se të dëmtuarit paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare.

Gjithnjë sipas prokurorisë, po ashtu i akuzuari Valon Krasniqi, përgjegjësitë e tij ligjore për identifikimin e të dëbuarve, sigurimin e fletë-udhëtimeve, sigurimin e kujdesit mjekësor dhe autoritetin për zbatimin e operacionit të dëbimit me forcë të tyre ia kishte kaluar AKI-së dhe Policisë së Kosovës, në këtë mënyrë duke u shkelur të drejtat e të dëmtuarve, të drejtën e qëndrimit dhe punës së ligjshme në Kosovë të dëmtuarve iu ka shkaktuar dëm moral dhe material.

Me këto veprime, PSRK-ja e ngarkon të akuzuarin Valon Krasniqi se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPK-së të KPK-së.

PSRK-ja e ngarkon të akuzuarin Rrahman Sylejmani se si person zyrtar, drejtor i DMH, pranë MPB, më 29 mars 2018, në Prishtinë, tejkaloi kompetencat zyrtare në atë mënyrë që nxori gjashtë urdhra për dëbim me forcë të 6 shtetasve të Republikës së Turqisë, të dëmtuarave Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Husein Demir dhe Mustafa Erden, që kishin leje qëndrim të ligjshëm qëndrimi dhe pune në Kosovë, dhe Osman Karakoya që ishte në procedurë për marrjen e lejes së qëndrimit dhe punës edhe pse në bazë të nenit 99, par.1 të Ligjit për të Huaj, nuk ishte fare në kompetencë të DMH që drejtonte ai, por në kompetencë të DSHAM.

Ndërsa, thuhet se urdhrat për dëbim me forcë i nxori edhe pse ishin përmbushur asnjë nga kushtet për lëshimin e urdhrit për dëbim me forcë nga neni 97, par. 1 të të njëjtit ligj dhe po ashtu pa e zbatuar procedurën e paraparë në nenin 97, paragrafi 8 i të njëjtit ligj, ndërsa, dëboi me forcë dhe depërtojë të dëmtuarin Hasan Husein Gunakan në mënyrë të kundërligjshme edhe pse atij nuk i ishte revokuar fare leja e qëndrimit dhe punës në Kosovë dhe nuk kishte as urdhër për dëbimin e tij, në këtë mënyrë shkeli rënd të drejtat e të dëmtuarve për qëndrim dhe punësim në Kosovë, me ç’rast iu shkaktoi dëm moral dhe material të dëmtuarve.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Rrahman Sylejmani se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPK-së.

Po ashtu, prokuroria e akuzon Rrahman Sylejmanin edhe se si person zyrtar, në cilësinë si në piken III- të këtij dispozitivi, gjatë muajit mars 2018 në shkollat “Mehmet Akif”, në Gjakovë dhe Lipjan dhe në shtëpinë në lagjen “Marigona” në Prishtinë, me ndihmën e Policisë së Kosovës, privoj kundërligjshëm nga liria duke i dëbuar dhe depërtuar me forcë të dëmtuarit e cekur në dispozitivin III pa ekzistuar asnjë bazë ligjore të paraparë me dispozitat e nenit 29, par.2 dhe 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe neni 13, paragrafi 1 i Kodit të Procedurës Penale.

Me këto veprime, PSRK e ngarkon të akuzuarin Rrahman Sylejmani se ka kryer veprën penale “Privimi i kundërligjshëm i lirisë” nga neni 196, par. lidhur me par. 3 të Kodit Penal, raporton betimiperdrejtesi.

Në trend Lajme

Më shumë
Gjeti trupin e 9-vjeçares në Bunë, peshkatari: Pashë me dritë telefoni, dukej si kukull

Gjeti trupin e 9-vjeçares në Bunë, peshkatari: Pashë me dritë telefoni, dukej si kukull

Lajme
Pahor: Kandidatura ime do të paraqitet në Bruksel, do të jem ndërmjetës i ndershëm në dialogun Kosovë-Serbi

Pahor: Kandidatura ime do të paraqitet në Bruksel, do të jem ndërmjetës i ndershëm në dialogun Kosovë-Serbi

Lajme
Deputeti finlandez: Serbia nuk mund t'u imponohet shteteve për të kundërshtuar Kosovën në KiE

Deputeti finlandez: Serbia nuk mund t'u imponohet shteteve për të kundërshtuar Kosovën në KiE

Lajme
Policja që u raportua e zhdukur paraqitet në stacionin e Rahovecit

Policja që u raportua e zhdukur paraqitet në stacionin e Rahovecit

Kronika e Zezë
DW: Sinjale alarmi nga Ballkani - po përsëritet historia?

DW: Sinjale alarmi nga Ballkani - po përsëritet historia?

Lajme
Deputeti gjerman, Abraham: Pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është e vetmja rrugë përpara

Deputeti gjerman, Abraham: Pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është e vetmja rrugë përpara

Lajme
Kalo në kategori