Guhenno është përmendur goxha shpesh kohëve të fundit në Kosovë, për shkak se është pikërisht ky si shef i DPKO-së (Departamentit për Operacione Paqeruajtëse të OKB-së) që më 25 mars autorizoi Richard Vilkonsin, shefin e Zyrës së OKB-së në Beograd, për të nisur bisedimet konfidenciale me përfaqësuesit e Qeverisë së Serbisë, më konkretisht me ministrat Samarxhiq dhe Jeremiq.

Siç ka kuptuar kjo gazetë nga burimet diplomatike perëndimore, Guhenno ka ambicie që të jetë në krye të procesit, i cili tashmë njihet me formulën e “rikonfigurimit të UNMIK-ut”, pas 15 qershorit të këtij viti, kur duhet të marrë fund roli i deritashëm i Administratës Ndërkombëtare dhe kur UNMIK-u duhet t’i përshtatet realitetit në Kosovë.

Po qe se Guhenno ia arrin qëllimit, kjo do të thotë se Joachim Ruecker do të braktisë postin e tij si PSSP pas 15 qershorit të këtij viti, sepse nuk do ta kishte mandatin me të cilin ka marrë këtë post, pas largimit të Soren Jessen-Petersenit dhe që Guhenno do të ishte, realisht dhe formalisht, njeriu i parë i UNMIK-ut, por i cili do të qëndronte në New York, në krye të kësaj ndërmarrjeje të rikonfigurimit të UNMIK-ut.