“Grup i mirë”, Granit Xhaka dhe Murat Yakin të lumtur me shortin e Zvicrës për Kupën e Botës

Përzgjedhësi Murat Yakin dhe kapiteni Granit Xhaka janë ndarë të lumtur me shortin e Kupës së Botës 2026.
Zvicra faktikisht ka rënë në një grup mjaftë të favorshëm pasi përballen me Kanadanë, Katarin dhe një kombëtare nga play-offi i Evropianit (Itali, Irlandë Veriore, Uells dhe Bosnja/Hercegovinë).
Nuk ka vonuar shumë dhe Xhaka shkurtimisht për “bluewin.ch” e ka komentuar shkurtimisht shortin.
“Një grup shumë i mirë me kundërshtarë interesant. Sigurisht, të luajmë ndaj nikoqirit Kanadasë do të jetë diçka e veçantë. Atmosfera do të jetë fantastike”.

Ndërkohë, përzgjedhësi Murat Yakin thotë se të gjithë kundërshtarët do të jenë jashtëzakonisht të motivuar.
“Sigurisht një grup i mirë dhe atraktiv, në të cilën padyshim duam të kualifikohemi për fazën e play-offit”.
“Presim që kombëtaret të jenë tepër të motivuara dhe do të kenë mbështetje të madhe në secilën lojë. Me Katarin është vështirë të parashikohet se çfarë stili të lojës do të luajnë. Pastaj do të përballemi me një kombëtare evropiane që i njohim”, shtoi ai.
Në “letër” Zvicra shihet si favoriti i grupit, por në rast që Italia avancon nga muaji mars atëherë “matematikat” do të ndryshojnë./Telegrafi/











































