Edhe pse jeta e tyre ka vijuar normalisht për disa kohë, ka qenë pikërisht B.Kasa e cila e ka denoncuar në polici bashkëshortin e saj, duke pretenduar se ai e shfrytëzonte për prostitucion. Pas hetimeve të kryera organi i akuzës ka depozituar dosjen në gjykatë në ngarkim të Adriatik Kasës, me akuzën e “shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese”. Edhe pse gjatë gjykimit Kasa ka pranuar krimin e kryer, Gjykata e Tiranës e ka shpallur atë fajtor duke e dënuar përfundimisht me 4 vjet e 8 muaj burg.

Nga shqyrtimi gjyqësor rezultoi se i pandehuri Adriatik Kasa dhe kallëzuesja B.Kasa janë bashkëshortë dhe kanë dy fëmijë. Gjatë kohës së martesës, B.Kasa ka qenë nën presionin e të pandehurit, pasi ai ishte përdorues alkooli dhe e keqtrajtonte shpesh. Sipas të pandehurit, në vitin 2010 B. është larguar nga shtëpia pa i thënë gjë bashkëshortit. Ky i fundit ka shkuar për t’u interesuar tek prindërit e saj në Pezë. Atje i pandehuri ka marrë dijeni se bashkëshortja kishte lënë fëmijët e më pas ishte larguar. Pas rreth tre muajsh i pandehuri ka kontaktuar me B.Kasën, e cila i ka thënë se ndodhej në Sarandë. Më pas, ajo ishte kthyer në shtëpi dhe i kishte thënë Adriatikut se kishte punuar si prostitutë në Sarandë.


Pas kësaj Adriatiku kishte vendosur ta mbante si bashkëshorte, por kishin rënë dakord të bashkëjetonin dhe B.Kasa të punonte si prostitutë dhe paratë do t’i ndanin bashkë. Më pas B. ka punuar si prostitutë, duke i gjetur klientët vetë. Rreth muajve mars - prill 2011, i pandehuri Adriatik Kasa është takuar me R.D. në një lokal. Adriatiku i ka propozuar atij që të kryente marrëdhënie seksuale me një femër, që do t’ia gjente ai, kundrejt një shpërblimi 10 mijë lekë. R.D. ka rënë dakord dhe i ka dhënë leket. Adriatiku ka shkuar në shtëpi, ka marrë bashkëshorten, i ka thënë të kryente marrëdhënie seksuale me R.D. kundrejt shpërblimit dhe është kthyer.

Ai e ka prezantuar R.D. me bashkëshorten e tij, B.Kasa. R.D. ka marrë B.Kasën dhe kanë shkuar në një motel në Vaqarr, ku kanë kaluar natën dhe kanë kryer marrëdhënie seksuale. Kur është pyetur nga policia R.D. ka deklaruar se nuk mbante mend se sa para kishte paguar. Për shkak se i pandehuri e ka shfrytëzuar B.Kasën për të ushtruar prostitucion, si dhe ka ushtruar dhunë ndaj saj, kjo e fundit ka bërë kallëzim përpara oficerëve të policisë gjyqësore në Policinë e Tiranës.

Nga përgjimet e kryera ka rezultuar se i pandehuri në një rast e kishte ndërmjetësuar bashkëshorten për të kryer prostitucion kundrejt shpërblimit. Gjatë hetimit janë pyetur i pandehuri Adriatik Kasa, kallëzuesja si dhe disa persona të tjerë, të cilët kanë patur dijeni për ngjarjen. Nga provat e marra, organi i prokurorisë ka arritur në përfundimin se nga ana e të pandehurit Adriatik Kasa është kryer vepra penale e shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese.

Në seancë gjyqësore i pandehuri e pranoi plotësisht akuzën dhe fajësinë, si dhe tregoi pendim të thellë për veprën e kryer prej tij. Ai deklaroi se kishin rënë dakord me bashkëshorten që ajo të ushtronte prostitucion, për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike të familjes.

Në përfundim të procesit gjyqësor, Gjykata e Tiranës vendosi: Deklarimin fajtor të të pandehurit Adriatik Kasa për kryerjen e veprës penale të “shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese” dhe dënimin e tij neni me 7 vjet burgim; në aplikim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale e dënon përfundimisht të pandehurin Adriatik Kasa me 4 vjet e 8 muaj burgim, shkruan “Gazeta Shqiptare”. /Telegrafi/