LAJMI I FUNDIT:

Gruaja e komandantit Agim Ramadani tregon se kur e mori vesh që iu vra burri

Gruaja e komandantit Agim Ramadani tregon se kur e mori vesh që iu vra burri

Çdo ditë e bashkëshortes së heroit Agim Ramadani është e njëjtë, pasi që jeton pa më të dashurin e saj, i cili u shua për lirinë e vendit.

Krahas dhimbjes së madhe që ndjen, Shukrie Ramadani thotë se në këtë ditë kur shënohet edhe 19-vjetori i rënies së Agim Ramadanit, dhimbjen ia bënë më të lehtë përkrahja e të gjithë bashkëluftëtarëve, familjarëve e udhëheqësve shtetërorë.


Gruaja e komandantit, Agim Ramadani, Shukria në një rrëfim për KosovaPress thotë se deri në momentin që kishte shkuar në Shqipëri kishte menduar që bashkëshorti i saj ishte i plagosur.

Duke ndier gjithë dhimbjen e madhe që kishte për humbjen e më të dashurit të saj, Ramadani thotë se ajo i ngushëllon bashkëluftëtarët e Agimit, pasi që edhe amaneti i tij ishte që ajo të qëndronte e fortë pavarësisht çdo gjëje.

“Unë t’iu them të drejtën nuk kam marr vesh. Mua më kanë thënë se është plagosur, ashtu kam shkuar deri në Shqipëri. De atje kur kam shkuar në frontin e luftës, kam qenë unë ajo që i kam ngushëlluar shokët e Agimit, e jo ata mua, nga që kam menduar se si do të dëshironte Agimi të qëndroja unë. Ndaj ajo më përcjell edhe më tej, deri më sot. Në çdo moment mendoj se si do të kishte dëshiruar Agimi të qëndroja, çka do kishte dëshiruar të thosha, dhe i mbetëm besnike dashurinë së tij dhe dëshirës së tij që vërtet t’i përkushtohem me çdo atom timin, të  energjisë dashurinë ndaj atdheut, ndaj fëmijëve, ndaj familjes dhe dashurinë ndaj Agimit”, shprehet Ramadani.

Ajo shpreson se udhëheqësit vendorë asnjëherë nuk do shkelin mbi gjakun që u derdh për lirinë e vendit.

“Ajo që më bën t’i tejkaloj sfidat më lehtë është se kam tre fëmijë të mrekullueshëm. Kam një familje e cila më mbështet vazhdimisht dhe kur shoh që Kosova po përparon dhe po përmbush ëndrrat e të rënëve e kam shumë më lehtë. Por, në momente të ndryshme të mëdyshjes situata vërtetë vështirësohet jo vetëm për mua, por për të gjithë familjarët të dëshmorëve, të invalidëve, për të gjithë veteranët për të gjithë ata që janë të lidhur ngushtë për liri dhe me shtetbërjen e shtetit tonë. Unë shpresoj shumë që vërtetë do e kemi më lehtë në të ardhmen, që prijësit tanë do të jenë më të përkushtuar dhe vërtet nuk do të shkelin asnjë herë mbi gjakun me të cilin u la kjo tokë”, tha ajo.

E bashkëluftëtari i Agimit, Milazim Mavraj rrëfen  disa nga momente kur e kuptuan që komandanti Agim Ramadani ishte vrarë duke thënë  se urdhrin e tij për të çliruar vendin nga okupatori serb e përdoren si kurajë për ta mundur dhimbjen.

Mavraj u shpreh se në momentin që Agimi nuk po lajmërohej në radiolidhje të gjithë ushtarët i kishte kap stresi pasi e kuptuan se ishte vrarë.

“Në kohën kur nuk po dëgjohej më dhe nuk po lajmërohej në radiolidhje filloi një stres tek të gjithë eprorët dhe ushtarët, ‘Katana’ nuk po lajmërohet edhe kjo kuptohej, por asnjëri nga ushtarët nuk bënte ballë të thotë se ishte vrarë “Katana”. Jo, thoshim. Nuk është vrarë dhe pastaj sikur urdhrin e tij se edhe vetëm një ushtar të mbetej ka për detyrë që të formoj njësite dhe të vazhdoj luftën për çlirimin e Kosovës e përdorëm si kurajë për ta mundur dhimbjen që kishim për të. Ushtarët u betuan se aty ku ka rënë gjaku i Agim Ramadanit nuk ka me shkelë këmbë e serbit dhe ashtu ndodhi”, tha Mavraj.

Për personalitetin e Agim Ramadanit flet edhe bashkëluftëtari i tij, Feriz Trezhnjeva.

Ai thotë se Agimi me bagazhin që posedon po të ishte gjallë do t’i ndihmonte vendit në avancimin e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike.

“E kam njohur si një personalitet shumëdimensional, me vizion të qartë, dimensionet  e tij ishin të jashtëzakonshme si në artin ushtarak ashtu edhe në atë poetik, ai ishte njeri i cili kishte një bagazh të madh sa i përket fushës dhe doktrinës ushtarake, fushës dhe doktrinës së artit. Por një ashtu kishte një bagazh të madh sa i përket edhe integrimit, bashkëpunimit, koordinimit të veprimeve luftarake me të gjithë luftëtarët e lirisë pavarësisht nga vinin e si vinin. Agimi ishte një personalitet që sot do t’i duhej shumë Kosovës për ndërtimin e institucioneve dhe avancimin e tyre drejt integrimeve euroatlantike”, tha Trezhnjeva.

Ndryshe, Agim Ramadani, komandanti i Brigadës 138 të Zonës Operative të Dukagjinit, i cili njihen me nofkën “Katana”, u lind në Zhegër të Gjilanit, më 3 maj 1963, ndërsa ra heroikisht më 11 prill 1999. Agimi la pas vetes gruan Shukrien dhe tre pasardhës, djemtë Jetonin dhe Edonin, si dhe vajzën Lorinën./Telegrafi/