Gratë në Gaziantep mësojnë artin tradicional të endjes dhe kontribuojnë në ekonominë familjare

Gratë që marrin trajnim për endjen tradicionale me dorë në një qendër që funksionon në një zonë rurale të Gaziantepit, kontribuojnë në ekonominë familjare.
Kursantet që marrin trajnim 5 ditë në javë, ndërsa mësojnë endjen tradicionale me dorë, përgatisin produkte që dëshirojnë për shtëpitë e tyre, si dhe produkte sipas porosive të marra nga qendra.
Gratë që marrin një pjesë të të ardhurave nga produktet e shitura, në këtë mënyrë kontribuojnë në ekonominë familjare.

Instruktorja e punishtes, Melike Aslanoglu, tha për Anadolu se endja me dorë është një zanat që po shkon drejt harrimit.
Duke treguar se aktualisht u japin trajnim 12 grave, Aslanoglu tha: "Ne përpiqemi ta modernizojmë këtë zanat tradicional aq sa kemi mundësi, ta përshtatim me ditët e sotme dhe ta shndërrojmë në produkte që mund t'i përdorim. Qëllimi ynë është që t'ua përcjellim këtë zanat brezave të ardhshëm duke ua bërë të dashur. Ne bëjmë endje, por këto punime i shndërrojmë në aksesorë për shtëpi. Nxjerrim produkte që mund t'i përdorim lehtësisht në jetën e përditshme. Në këtë mënyrë, të rinjtë tanë vijnë me më shumë dëshirë".
Koordinatorja e projektit, Tugba Ayaz, tha se arti turk i endjes është një artizanat me rrënjë të thella që shtrihet nga Turkistani deri në Anadoll.
"Ky art është një nga mjetet më të fuqishme të shprehjes vizuale të kulturës turke. Ai nuk është vetëm një objekt, por njëkohësisht shprehje e identitetit, besimit, statusit dhe kuptimit të estetikës. Përmes punishtes së endjes që kemi ngritur në Qendrën e Mbështetjes së Familjes, të rinjtë tanë i njohin më nga afër artet tradicionale të dorës dhe do të vazhdojmë së bashku ta mbajmë gjallë këtë trashëgimi të bukur që shtrihet nga e kaluara drejt së ardhmes", tha ajo. /AA/





































