Deputeti i LDK-së, Blerim Grainca ka thënë se për dështimin e demarkimit të kufirit me Malin e Zi, faj kanë të dy partnerët e koalicionit qeverisës, PDK dhe LDK. Por sipas tij, faj ka edhe opozita.

“Demarkacioni ka një histori pasi është bërë në mandatin e kaluar dhe kjo Qeveri e ka gjetur në tavolinë.  Faji për dështimin e procesit të Demarkacioni i takon dy partnerëve të koalicionit pasi asnjëri nuk ka arritur të sigurojë numrin e votave. Për këtë dështim nuk e përjashtojmë edhe opozitën nga barra e saj për shkak të mungesës së dëshirës për të diskutuar për të gjetur zgjidhje”, tha Grainca, në Info Magazine të Klan Kosovës.

Ai ka thënë se LDK është e gatshme për zgjedhje, kurdo që mbahen ato.

“Jemi të gatshëm që në çdo moment t’i nënshtrohemi procesit zgjedhor. LDK është e gatshme 24 orë për zgjedhje”.

Por ai nuk është pajtuar me deputetin e PDK-së, Bislim Zogaj i cili ka thënë se “vendi është në kolaps”.

“Vendi nuk është në kolaps, vendi është në krizë të procesit të Demarkacionit. Ne kemi rritje 4%, që është më e madhja në rajon por Demarkacioni është një proces që nuk po ecën”.

Grainca ka thënë se “LDK do të dalë me një opsion i cili edhe nuk i izolon qytetarët dhe mundëson një lëvizje të lirë”.

“LDK po e diskuton një opsion me të cilin do të dalë edhe me partnerin e koalicionit për ta diskutuar. Gjithë strukturat e LDK-së po e diskutojnë një diskutim të tillë që siguron që Kosova të mos humbë asnjë pjesë të territorit të saj”, tha ai. /Klan Kosova/