LAJMI I FUNDIT:

Goditet grupi kriminal në Lushnjë, përdornin lokalin për shitjen e drogës

Goditet grupi kriminal në Lushnjë, përdornin lokalin për shitjen e drogës

Policia e Fierit ka goditur një grup kriminal që kishte përshtatur një lokal për shitjen e drogës.

Në pranga kanë rënë shtetasit Zh. H. (Gj.) (i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale), 33 vjeç dhe K. Ç., 27 vjeç, të dy banues në Lushnjë.


Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, u shpallën në kërkim shtetasit M. K., 33 vjeç (i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale) dhe S. K., 29 vjeç, të dy banues në Lushnjë.

Nga provat e siguruara si rezultat i hetimit proaktiv, rezultoi se këta 4 shtetas ushtronin në formën e grupit, veprimtarinë kriminale të shitjes së drogave të forta dhe kanabisit, në një ambient (lokal) në lagjen “Kadri Qystri”, Lushnjë, i cili administrohej nga shtetasi i arrestuar K. Ç.

Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë lokal, u gjetën 120 gram lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 39 gram lëndë e dyshuar narkotike heroinë, si dhe dhjetëra doza të dyshuara lënde narkotike kanabis, të cilat u sekuestruan së bashku me 9 celularë, 1 automjet dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga shitja e lëndëve narkotike. Gjithashtu, lokali ku kryhej kjo veprimtari kriminale, u bllokua nga shërbimet e Policisë.

Gjithashtu, për këtë rast u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. A., 38 vjeç, banues në Lushnjë, pasi u kap në lokal, duke blerë lëndë narkotike. /Telegrafi/