LAJMI I FUNDIT:

GM zotohet të rrisë vendet e punës vitin e ardhshëm pavarësisht synimit të prodhimit të më shumë veturave elektrike

GM zotohet të rrisë vendet e punës vitin e ardhshëm pavarësisht synimit të prodhimit të më shumë veturave elektrike

General Motors të premten deklaroi se planifikon të rrisë punësimin vitin e ardhshëm, pavarësisht shqetësimeve në rritje nga punëtorët të cilët thonë se prodhimi i veturave elektrike mund të ulë nevojat e punës.

Muajin e kaluar, GM, Ford Motor dhe Stellantis hapën negociatat e kontratave me sindikatën e United Auto Workers (UAW) përpara skadimit të marrëveshjeve aktuale të punës katërvjeçare me 14 shtator.


Shefi i prodhimit të GM, Gerald Johnson, deklaroi se ai nuk pajtohej me faktin se prodhimi i veturave elektrike do të kërkonte më pak punëtorë, raporton Reuters, përcjell Telegrafi.

“Në fakt ne presim që shifra e të punësuarve tek ne të rritet në vitin 2024”, tha Johnson përmes një video mesazhi.

Vitin e kaluar, nga Ford deklaruan se veturat elektrike, të cilat janë më të thjeshta dhe kanë më pak pjesë mekanike, do të kërkojnë 40 për qind më pak punë për t’u ndërtuar sesa veturat aktuale me motor me djegie të brendshme (ICE).

Në anën tjetër, GM është zotuar se deri në vitin 2035do të përfundojë shitjen e veturave të reja me motor me djegie të brendshme.

Një tjetër çështje kyçe në bisedime përfshin pagën dhe trajtimin e punëtorëve në fabrikat e baterive të ndërmarrjeve të përbashkëta të General Motors. /Telegrafi/