FIFA po teston përdorimin e kartonit të gjelbër në futboll, me një rast që tashmë është regjistruar në një ndeshje të profilit të lartë.

Kartoni i kuq dhe ai i verdhë kanë qenë pjesë thelbësore e disiplinimit në futboll që prej Kupës së Botës së vitit 1970. Por, ndërkohë që këto dy kartonë janë të pazëvendësueshëm në zbatimin e rregullave të lojës, mund të jetë në prag një risi e madhe në "lojën e bukur".


Kjo pasi, në Kupën e Botës U20 për meshkuj, që po zhvillohet aktualisht në Kili, FIFA po teston një sistem krejtësisht të ri.

Edhe pse një karton i gjelbër ishte përdorur më parë gjatë turneut CONIFA World Football Cup, i organizuar për kombëtaret që nuk janë të lidhura me FIFA-n, ku ai u dha për mungesë respekti ndaj gjyqtarit, përdorimi në këtë rast ka një kuptim krejt tjetër.

Sipas faqes zyrtare të Lojërave Olimpike, kartoni i gjelbër në testimin e FIFA-s po përdoret si një pjesë kyçe e procesit të arbitrazhit përmes "Football Video Support" (FVS), një sistem që funksionon si një version alternativ i VAR-it në turne dhe organizata ku teknologjia VAR nuk është në dispozicion.

Ashtu si në VAR, pamjet video përdoren për “gabime të qarta dhe të dukshme” që lidhen me gola, penallti apo kartonë të verdhë. Por procesi funksionon ndryshe.

Në këtë rast, kartoni i gjelbër përdoret nga trajnerët për të sinjalizuar një kërkesë për rishikim të vendimit, njësoj si në sporte si futbolli amerikan, basketbolli, tenisi, bejsbolli apo kriketi.

Trajnerët lejohen të bëjnë dy sfida për ndeshje, siç është praktikuar më parë edhe në Kupën e Botës për femra U-20 në Kolumbi dhe Blue Stars FIFA Youth Cup.

Ky eksperimentim i ri mund të sjellë ndryshime rrënjësore në mënyrën sesi trajtohen vendimet e diskutueshme në futboll, sidomos në nivelin e turneve rinore dhe atyre pa teknologji të avancuar.

Dhe pikërisht kjo ndodhi në rastin e parë të përdorimit të kartonit jeshil në Kupën e Botës U-20, ku Maroku mposhti Spanjën 2-0 të dielën.

Spanjës fillimisht iu akordua një penallti, por pas protestave nga ana e skuadrës marokene, trajneri Mohamed Ouahbi bëri një sfidë zyrtare ndaj vendimit, duke përdorur kartonin e gjelbër.

Kjo çoi në rishikimin e pamjeve të incidentit nga gjyqtari kryesor dhe, në fund, vendimi për penallti u anulua./Telegrafi/

telegrafi sport app