LAJMI I FUNDIT:

Gjykimi për vrasjen e rëndë në Mitrovicë, dëshmitari thotë se e ka parë të akuzuarin e dytë duke shtënë me armë në drejtim të të dëmtuarit

Gjykimi për vrasjen e rëndë në Mitrovicë, dëshmitari thotë se e ka parë të akuzuarin e dytë duke shtënë me armë në drejtim të të dëmtuarit

Të mërkurën në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor për vrasjen e rëndë që kishte ndodhur në shkurt të vitit të kaluar në Mitrovicë, ku u dëgjua i dëmtuari-dëshmitari Behar Halili, i cili ndër të tjera deklaroi se e ka parë të akuzuarin e dytë duke shtënë në drejtim të të dëmtuarit tjetër, Florim Sadikut.

Në këtë rast i akuzuari i parë Leotrim Selimi ngarkohet për veprat penale të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtjes pa leje, pasi sipas aktakuzës me dashje kishte privuar nga jeta tashmë të ndjerin M.K dhe kishte plagosur Behar Halilin, ndërsa i pandehuri i dytë Bejtë Hasani po akuzohet për vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, pasi sipas aktakuzës me dashje kishte filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes ndaj Florim Sadikut, e të cilën nuk e kishte përfunduar.


Mbrojtësi sipas autorizimit i të akuzuarit të parë Leotrim Selimi, avokat Naser Sopjani vazhdoi me rimarrjen në pyetje të të dëmtuarit-dëshmitarit Halili.

Ndërsa, fillimisht u konstatua prezenca e palëve, prokurori  Njazi Rexha, i akuzuari Leotrim Selimi me mbrojtësin e tij sipas autorizimit, avokat Naser Sopjani, i akuzuari i dytë Bejtë Hasani me mbrojtësin e tij sipas detyrës zyrtare, avokat Bashkim Mehana, si dhe të dëmtuarit-dëshmitarët Behar Halili, Mentor Beqiri, dhe Albert Beqiri.

Në seancën e sotme nuk ishte prezent i dëmtuari-dëshmitari Florim Sadiku, i cili sipas njoftimit të policisë gjendet në Gjermani, dhe nuk prezentoi dëshmitari Shpëtim Tahiri.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Radosllav Markoviq kërkoi nga dëshmitari që të përgjigjet në pyetjen e avokatit Sopjani, pyetje kjo që kishte mbetur pa u sqaruar nga shqyrtimi i kaluar gjyqësor, lidhur me faktin se dëshmitari në prokurori kishte deklaruar se nuk e di si është plagosur Florim Sadiku, nuk e kishte parë se kush e ka plagosur, dhe të njëjtin ka deklaruar se e ka parë vetëm të shtrirë. Por, në shqyrtimin e kaluar gjyqësor dëshmitari kishte deklaruar se i akuzuari i dytë ka shtënë në Florim Sadikun.

“I akuzuari i dytë ka shtënë në Florim Sadikun, po Florimin nuk kom mujt me pa qysh është plagosur se ka qenë te pompa e benzinës”, deklaroi i dëmtuari-dëshmitari Halili.

Tutje, pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit të parë, avokatit Naser Sopjani drejtuar dëshmitarit, nëse ka mundësi ta përshkruaj personin që ka shtënë me armë në drejtim të tij, e kundërshtoi prokurori Rexha me arsyetimin se dëshmitarit i është parashtruar e njëjta pyetje edhe në seancën e kaluar dhe është përgjigjur në këtë pyetje.

Gjyqtari Markoviq lexoi pjesën ku ishte parashtruar kjo pyetje nga procesverbali i seancës së kaluar, dhe avokati Sopjani e terhoqi pyetjen, me arsyetimin se procesverbali i seancës së kaluar i është dorëzuar në gjuhën serbe, dhe jo në gjuhën shqipe, ndërsa deklaroi se nuk mund ta dijë saktë se çfarë pyetjesh i janë parashtruar dëshmitarit seancën e kaluar.

Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Sopjani, nëse kishte dijeni për ekzistimin e kamerave të sigurisë në lokalin “Proper Pizza”, ku kishte ndodhur ngjarja, dëshmitari Halili u përgjigj se me dijeninë e tij kamerat kanë qenë të vendosura por nuk kanë punuar, ndërsa kamerat e sigurisë se pompës së benzinës, që është afër me lokalin e përmendur, kanë punuar.

Tutje, pyetjen e avokatit Sopjani, se dëshmitari kishte deklaruar se e ka marrë një kabull nga lokali, dhe nëse e ka ditur vendin e saktë para se ta marrë, prokurori Rexha e kundërshtoi me arsyetimin se dëshmitari asnjëherë nuk ka deklaruar se e ka marrë kabllën në lokal, por të njëjtën e ka marrë në kabinën e rojtarit.

Në pyetjen e avokatit Sopjani se a është e vërtetë se distanca më e afërt mes të dëmtuarit-dëshmitarit Halili dhe të akuzuarit Leotrim Selimi ka qenë 7-8 metra, dëshmitari deklaroi se atë distancë e ka deklaruar përafërsisht.

“Për shkak të distancës së përafërt që po e deklaron, në mënyrë që të vlerësohet se si i përcepton dëshmitari distancat, propozoj që dëshmitari të përcaktoj tani sa mund të jetë psh distanca mes tij dhe gjyqtarit apo prokurorit apo me dikënd tjeter në këtë sallë gjykimi, me qëllim që ta kuptojmë saktë sa është ajo distancë që po e deklaron”, ishte pyetja e rradhës së avokatit Sopjani.

Ndërsa, prokurori Rexha e kundërshtoi këtë pyetje me arsyetimin se dëshmitari është deklaruar përafërsisht për distancën dhe se për më shumë janë deklaratat e dëshmitarëve tjerë dhe xhirimet e kamerave, dhe për më tepër shtoi se gjykata është instanca që e vlerëson përceptimin e dëshmitarit.

Trupi gjykues pas këtij kundërshtrimi mori vendim për refuzimin e propozimit të mbrojtësit për arsye se gjykata vlerëson bindshmërinë dhe kredibilitetin e deklaratës dhe përgjigjeve të dëshmitarit dhe përveç kësaj ekzistojnë xhirimet në bazë të të cilave do të vlerësohet deklarata e dëshmitarit.

Mbrojtësi i të akuzuarit Leotrim Selimi, avokat Naser Sopjani vazhdoi me marrjen në pyetje të dëshmitarit, duke kërkuar të dijë se cili version është i vërtetë, ai i deklarimit të dëshmitarit se distanca mes tij dhe të akuzuarit Selimi në vendin e ngjarjes ka qenë diku rreth 7-8 metra, apo pamjet nga video- incizimet ku vërehet largësia prej jo më tepër se një metër mes tyre.

Por prokurori Rexha e kundërshtoi pyetjen me arsyetimin se kjo është pyetje e drejtpërdrejtë dhe jo e tërthortë.

Trupi gjykues refuzoi pyetjen e mbrojtësit Sopjani me arsyetimin se gjykata gjatë shikimit të video- incizimit do të vërtetojë se cila është distanca mes dëshmitarit dhe personit që i është afruar, dhe se video incizimi është provë në procedurë dhe si e tillë do të vlerësohet.

Tutje, mbrojtësi sipas detyrës zyrtare i të akuzuarit të dytë Bejtë Hasani, avokat Bashkim Mehana deklaroi se nuk ka pyetje në drejtim të të dëmtuarit-dëshmitarit Behar Halili, pasi konsideron se pyetjet që ka pasur në plan ti parashtrojë janë konsumuar nga pyetjet e parashtruara nga mbrojtësi i parë dhe nga kundërshtimet e prokurorit.

Ndërsa, dy të akuzuarit Leotrim Selimi dhe Bejtë Hasani nuk patën pyetje për dëshmitarin.

Me marrjen në pyetje të të dëmtuarit-dëshmitarit Halili vazhdoi kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Markoviq.

I njëjti e pyeti dëshmitarin nëse e kishte parë me sytë e tij se i akuzuari i dytë kishte shtënë me armë në të dëmtuarin tjetër në këtë rast, Florim Sadikun, përderisa dëshmitari e pohoi një gjë të tillë.

I dëmtuari-dëshmitari deklaroi se do të paraqesë kërkesën pasurore juridike.

Meqenëse prokurori Njazi Rexha kishe angazhime të tjera me rëndësi, shqyrtimi gjyqësor u vendos të vazhdojë me 12 prill 2022, ku do të dëgjohen dy të dëmtuarit-dëshmitarët tjerë, Mentor e Albert Beqiri.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 28 tetor 2021 kishte ngritur aktakuzë kundër Leotrim Selimit, Bejtë Hasanit, Valon Ibishit dhe Valmir Selimit.

Të akuzuarit Valon Ibishi dhe Valmir Selimi janë dënuar me nga 700 euro gjobë dhe me burgim me kusht në kohëzgjatje prej 8 muaj (secili veç e veç), pasi pranuan fajësinë për armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, më 17 nëntor 2021.

Ndërsa, i akuzuari për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, Leotrim Selimi dhe i akuzuari tjetër, Bejtë Hasani, për vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, në atë seancë e pranuan fajësinë vetëm për armëmbajtje pa leje, andaj gjykata refuzoi këtë pranim fajësie dhe ndaj tyre është veçuar procedura.

Kështu, sipas pikës I. 1 të aktakuzës, Leotrim Selimi më 12 shkurt 2021, në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicë, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerin M.K, ku pas një mosmarrëveshje rreth punëtorëve me pronarin e “Proper Pizza”, Albert Beqiri, vjen deri te konflikti mes grupit të “Maestros”, Leotrim Selimi, Bejtë Hasani, Valmir Ibishi, Liridon Selimi, Labinot Selimi, dhe grupit të “Proper Pizzaa”, Mentor Beqiri, Florim Sadiku, Behar Halili e M.K.

Sipas aktakuzës thuhet se i pandehuri Leotrim Selimi kishte nxjerrë pistoletën e markës “Crvena Zastava, model 57, cal. 7.62 x 25 mm, dhe kishte shtënë në viktimën dhe godet në pjesën e përparme të djathtë të kraharorit e si rezultat i plagëve të marra vdes.

Tutje në aktakuzë thuhet se predhat e goditin edhe Behar Halilin, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 par.1 pika 1.5 të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me jo më pak se 10 vite burgim ose me burgim të përjetshëm.

Ndërsa, në pikën I. 2 të aktakuzës thuhet se i pandehuri Leotrim Selimi më 12 shkurt 2021 në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët, ka poseduar pistoletën e markës “Crvena Zastava”, M 57, me nr. serik C-210485, kalibrit 7.62 x 25 mm, me një karikator, e cila i është sekuestruar nga policia.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par. 1 të KPRK e në bashkim real me veprën penale nën pikën 1 të dispozitivit.

Sipas pikës II. 1 të aktakuzës, Bejtë Hasani më 12 shkurt 2021, në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicë, me dashje ka filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes ndaj Florim Sadikut, e të cilën nuk e ka përfunduar.

Tutje në aktakuzë thuhet se pas fjalosjes mes grupit të “Proper Pizza”, Mentor Beqiri, Florim Sadiku, Behar Halili e M.K., dhe grupit të “Maestros” Leotrim Selimi, Bejtë Hasani, Valmir Ibishi, Liridon Selimi, Labinot Selimi, rreth punëtorëve, nxjerrë pistoletën e markës “Crvena Zastava”, model 70, kalibrit 7.65 x 17 mm, dhe shtënë në drejtim të grupit të “Proper Pizza”, me këtë rast e godet Florim Sadikun dhe i shkakton dëmtime të rënda trupore, si dhe vë në rrezik jetën e personave të grupit të “Proper Pizza”.

Me këtë, ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë në tentativë” nga neni 173, par. 1 pika 1.5 e lidhur me nenin 28 të KPRK.

Ndërsa, sipas pikës II. 2 të aktakuzës, i pandehuri Bejtë Hasani më 12 shkurt 2021 në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm mbi armët ka poseduar pistoletën e markës “Crvena Zastava” M-70, kalibrit 7.62 x 17 mm, e cila i është sekuestruar nga policia.

Me këtë, ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK, e në bashkim real me veprën penale nën pikën 1 dhe 2 të dispozitivit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në pikën III. 1 thuhet se i pandehuri Valon Ibishi më 12 shkurt 2021, në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët, ka poseduar pistoletën e prodhuesit “Tulla Tukarev”, model 33, kalibrit 7.62 x 25 mm, me nr. Serik MT 253146, e cila është sekuestruar nga policia.

Me këtë, ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK.

Ndërsa në pikën III. 2 të aktakuzës thuhet se i pandehuri Valon Ibishi më 12 shkurt 2021, në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët ka përdorur në mënyrë kërcënuese pistoletën e prodhuesit “Tulla Tukarev”, model 33, kalibrit 7.62 x 25 mm, me nr. Serik MT 253146, duke e nxjerrë gjatë konfliktit mes grupeve dhe drejtuar M.K., Mentor Beqirit, Florim Sadikut dhe Behar Halilit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 367, par. 1 të Kodit Penal, e në bashkim real me veprën penale nën pikën III/1.

Ndërsa, në pikën e fundit të aktakuzës, IV. 1 i pandehuri Valmir Selimi po akuzohet se më 12 shkurt 2021, në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët ka poseduar pistoletën e markës gjysmëautomatike ‘Eibar Star” model “B” kalibrit 9 x 9 mm, me nr. serik 42392, prodhim spanjoll, me një karikator, dhe tre fishekë të kalibrit 7.62 x 25 mm, e cila është sekuestruar nga policia.

Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK

Ndërsa në pikën IV. 2 të aktakuzës thuhet se i pandehuri Valmir Selimi më 12 shkurt 2021, në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm mbi armët ka përdorur në mënyrë kërcënuese ndaj grupit të “Proper Pizza”, Mentor Beqiri, Florim Sadiku, Behar Halili, e M.K. pistoletën e markës “Eibar Star” model “B”, kalibrit 9 x 9 mm, me nr. serik 42392, duke e nxjerrë dhe repetitë para lokalit.

Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 367, par. 1 të Kodit Penal, e në bashkim real me veprën penale nën pikën IV/1 të dispozitivit.

Në trend Lajme

Më shumë
U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

Lajme
Joseph: Supriza e KS-së ishte se Kosova dhe Rusia u pajtuan për rëndësinë e fushatës ajrore të NATO-s, Putin e ka hedhur Serbinë nën autobus

Joseph: Supriza e KS-së ishte se Kosova dhe Rusia u pajtuan për rëndësinë e fushatës ajrore të NATO-s, Putin e ka hedhur Serbinë nën autobus

Lajme
UP-ja pezullon nga puna profesorin Xhevat Krasniqi që dyshohet për ngacmim seksual

UP-ja pezullon nga puna profesorin Xhevat Krasniqi që dyshohet për ngacmim seksual

Lajme
Nënat e Srebrenicës falënderojnë presidenten Osmani: Një fjalim i tillë do të mbahet mend ndër breza

Nënat e Srebrenicës falënderojnë presidenten Osmani: Një fjalim i tillë do të mbahet mend ndër breza

Lajme
Haradinaj kërkon dorëheqjen e Qeverisë Kurti, pas publikimit të raportit nga DASH

Haradinaj kërkon dorëheqjen e Qeverisë Kurti, pas publikimit të raportit nga DASH

Lajme
​Raporti i DASh-it, opozita e vlerëson shqetësues, pushteti mohon ndërhyrjet në sistem të drejtësisë

​Raporti i DASh-it, opozita e vlerëson shqetësues, pushteti mohon ndërhyrjet në sistem të drejtësisë

Lajme
Kalo në kategori