Gjykata Themelore e Prishtinës i ka vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj Fatmir Shehollit, i arrestuar si i dyshuar për spiunazh në favor të BIA-s serbe. Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit F.SH., gjyqtari i procedurës paraprake, pas shqyrtimit të kërkesës më 07 nëntor 2025, përmes aktvendimit ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, duke i vazhduar masën e paraburgimit edhe për 2 muaj”, tha Gashi.


Fatmir Sheholli u arrestua më 09 tetor 2025 dhe një ditë më pas, më 10 tetor, gjykata i kishte caktuar një muaj paraburgim.

Ai dyshohet se ka vepruar sipas udhëzimeve të zyrtarit të lartë të BIA-s serbe, Bojan Dimiç, duke mbledhur dhe shpërndarë informacion rreth pronave, aktiviteteve biznesore dhe funksionimit të institucioneve në Kosovë.

Në dosjen e Prokurorisë Speciale thuhet se Sheholli ishte i rekrutuar nga BIA dhe kishte ofruar ndihmë të vazhdueshme për këtë shërbim të huaj, duke marrë informacione që më pas i shpërndante edhe në media online në Kosovë. Ai ishte nën hetime nga gushti i vitit 2024 dhe ishte edhe në përgjim fizik.

Gjatë bastisjeve të Policisë së Kosovës më 9 tetor 2025 në banesën e Shehollit janë sekuestruar një numër i pajisjeve elektronike, dokumentacion dhe sende të tjera të cilat do të dërgohen në ekzaminim.

Dosja e Prokurorisë tregon se Sheholli kishte marrë para nga Fondi Special Operativ i AKI-së, në disa raste deri në mbi 500 mijë euro, të cilat ishin dorëzuar nga ish-drejtorët e këtij institucioni, Driton Gashi, Shpend Maxhuni dhe Kreshnik Gashi në periudhën kohore 2017 – 2020. /Telegrafi/