LAJMI I FUNDIT:

Gjykata dënon me 55 vjet burg për Shullazin dhe katër anëtarë të bandës të tij

Gjykata dënon me 55 vjet burg për Shullazin dhe katër anëtarë të bandës të tij

Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda shpalli fajtorë Emiljano Shullazin dhe katër të akuzuarit e tjerë si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, të përfshirë në shantazhe, zhvatje pasurie përmes kërcënimit dhe vepra të tjera penale.

Vendimi i gjykatës u mor vetëm disa orë pasi mbrojtja përfundoi së lexuari konkluzionet. Në total pesëshja që gjykoi çështjen, e kryesuar nga gjyqtari Fran Prendi, Luan Hasmeziri, Liljana Baku, Irena Gjoka dhe Bib Ndreca dha 55 vjet burg për gjithë anëtarët e grupit.


Të pestë u shpallën fajtorë për krijim të grupit të strukturuar kriminal. Shullazi u shpall fajtorë për zhvatjen e pasurisë dhe kërcënimin e biznesmenëve Ylvi Beqja dhe Jani Zaka, krijimin e grupit të strukturuar kriminal dhe u dënua në total me 14 vjet burg, tre më pak nga sa kishte kërkuar prokuroria.

Gilmando Dani që akuzohej si krahu i djathtë i tij u dënua me 12 vjet burg në total kryesisht për krijim të grupit të strukturuar kriminal dhe për kërcënimin e Ylvi Beqjas. Ndërkohë për Endrit Qyqjen dhe Endrit Zelën u dhanë 10 vjet, për të njëjtat akuza. Blerim Shullazi u dënua me 9 vjet burg, për krijim të grupit të strukturuar kriminal dhe kërcënimin e biznesmenit Jani Zarka dhe armëmbajtje pa leje.

Gjykata tha se ata nuk ishin gjetur fajtorë për dy raste të vendosjes së tritolit ndaj subjekteve që ishin kërcënuar, përfshi tritolin në garazhin e biznesmenit Zarka. Po ashtu ata nuk ishin gjetur fajtorë as për kërcënimin e rektorit të Universitetit të Tiranës Mynyr Koni e ish-rektorit Dhori Kule.

Avokati i Shullazit Vladimir Meçe tha pas seancës se vendimi ishte i padrejtë dhe se do të kërkonin apelimin e tij. Gjatë pjesës së parë të seancës pati përplasje mes prokurorisë dhe avokatëve. Gjatë leximit të mbrojtjes, avokati Denion Bogdani e cilësoi akuzën si “fake news”, ndërsa i akuzoi prokurorët për “thashetheme mejhaneje”.

Qëndrimi i avokatit u kontestua nga prokurori Anton Martini, i cili tha se gjuha e përdorur nuk ishte etike, ndërsa gjykata i tërhoqi vëmendje avokatit që të përqendrohej në argumentet juridike. Situata të ngjashme ka pasur edhe më herët në procesin gjyqësorë ndaj Shullazit dhe katër bashkë të pandehurve.

Procesi

Emiljano Shullazi, së bashku me Gilmando Danin, Blerim Shullazin, Endrit Qyqjen dhe Endrit Zelën u akuzuan nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për gjobëvënie, shkatërrim të pronës me eksploziv, armëmbajtje pa leje dhe krijimin e një grupi të strukturuar kriminal.

Procesi gjyqësor ndaj tyre nisi pranverën e vitit 2017, pasi ata u arrestuan pasi u bë publik kërcënimi ndaj rektorit dhe kandidatit për rektor në Universitetin e Tiranës, por ai u zvarrit kryesisht për mungesa të avokatëve dhe në një pjesë edhe pas ndryshimeve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Çështja pati një sërë dëshmitarësh “VIP”, përfshi ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe ministren e Arsimit Lindita Nikolla. Tahiri dhe Nikolla konfirmuan në gjykatë se kandidati për rektor në Universitetin e Tiranës ishte kërcënuar. Ata thanë se gjatë një takimi mes tyre dhe kandidatit e rektorit, kishin dëgjuar emrat e të akuzuarve.

Po ashtu u thirr rektori i Universitetit të Tiranës Mynyr Koni, i cili sipas akuzës ishte kërcënuar nga Shullazi dhe ish-rektorin Dhori Kule. Të dy pranuan kërcënimin, por në gjyq nuk identifikuan Shullazin si kërcënues.

Në gjyq u thirr ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hali Çako dhe ish-Drejtori i Policisë së Tiranës. Të dy konfirmuan se kishin dëgjuar emrin e Shullazit si kërcënues i rektorit dhe kandidatit për rektor.

Dëshmi iu mor edhe ish drejtuesit të Hipotekës së Durrësit, tani deputet i PS Jurgen Çyrbja. Çyrpja të cilit i ishte kërkuar regjistrimi i ish-hotel “Vollgës”, tha se nuk kishte pasur kërcënime nga Shullazi, i cili ishte interesuar për regjistrimin e pronës në emër të tij dhe Ylvi Beqjas, i konsideruar si dëshmitar kyç në këtë çështje. Në media u publikuan njëkohësisht edhe biseda mes Çyrbjas dhe të pandehurit tjetër Gilmando Dani, ku aludohej rreth hetimeve të prokurorisë mbi çështjen.

Dy biznesmenë të kërcënuar kanë qenë pjesa më e rëndësishme e provave të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Dëshmia e njërit prej tyre Jani Zaka u lexua nga prokuroria, ndërsa u tha se ishte larguar nga Shqipëria pas kërcënimit të Shullazit në lidhje me pronësinë e një garazhi në pallatin ku banonte. Garazhit iu vu një sasi tritoli disa ditë pasi Zaka ishte larguar nga vendi.

Dëshmia tjetër u mor nga biznesmeni Ylvi Beqja. Bejqa ka statusin e dëshmitarit të mbrojtur dhe pretendon se është kërcënuar nga Shullazi dhe personat e tjerë për të dhënë shuma të mëdha parash. Dëshmia e tij është konfirmuar edhe nga Besnik Musai, kunat dhe shofer i Beqjas, i cili po ashtu pretendoi se ishte kërcënuar dhe marrë në mbrojtje nga policia dy ditë para se të dilte në gjyq.

Ndërkohë disa dëshmitarë të tjerë të thirrur nga prokuroria, ndryshuan thëniet duke shfajësuar të akuzuarit. Prokuroria hapi gjatë kësaj kohe një hetim për disa persona të tjerë të përfshirë sipas saj në një fushatë kundër dëshmitarit Beqja. Akuza pretendon se një numër biznesmenësh u shantazhuan që të jepnin deklarata kundër dëshmitarit të mbrojtur.

Në proces u përmend disa herë ish-kryeministri Sali Berisha, ndërsa u tha se u kërkua edhe dëshmia e tij nga mbrojtja, por më pas ata u tërhoqën nga kërkesa. Ndërkohë procesi është monitoruar në vazhdimësi nga përfaqësues të ambasadës së SHBA në Tiranë dhe po ashtu asaj të Gjermanisë.

Pretenca

Kur çështja mbërriti në pikën e leximit të pretencës në qershor të këtij viti, seancat u zvarritën fillimisht për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës, gjë që kishte ndodhur edhe gjatë gjykimit, dhe më pas nga mungesa e prokurorëve që e hetuan atë.

Në 1 gusht, prokurorja Elisabeta Imeraj u komandua në krye të Prokurorisë së Tiranës, duke lënë dosjet e hetuara si pjesë e Krimeve të Rënda, ndërkohë që prokurori tjetër, Ened Nakuçi ka paraqitur një raport mjekësor 6 mujor.

Fillimisht për të zhbllokuar situatën, drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela autorizoi paraardhësin e saj, Besim Hajdarmataj, por përpjekja për të zgjedhur prokurorë të tjerë u kthye në një krizë institucionale.

10 prokurorë u vendosën nën procedim disiplinor ndërsa 3 prej tyre u transferuan në rrethe periferike, pas debatit me drejtuesen Prela për procedurat e përzgjedhjes së përfaqësuesve të akuzës në këtë gjyq. Prokurorët e penalizuar kanë njoftuar padi ndaj masave të marra ndaj tyre, të cilat i konsiderojnë të paligjshme.

Prokuroria e zgjidhi situatën duke caktuar të përfaqësohet nga drejtuesit e institucionit. Pas një shtyrje tjetër seance këtë herë për mungesë të një avokati, pretenca u lexua më 2 tetor. Prokuroria kërkoi 64 vite burg për 5 të pandehurit.

Prokurori Gentian Osmani lexoi masat e dënimeve të kërkuara për pesë të pandehurit. Duke e cilësuar të pandehurin Emiljano Shullazi si krijuesin e grupit të strukturuar kriminal dhe ideatorin e kryerjes së veprave penale që po gjykohen, e duke kërkuar në total, dënimin e tij me 17 vjet heqje lirie. Gilmando Dani është cilësuar nga prokuroria si personi mbështetës i Emiljano Shullazit, ndërsa tre të tjerët, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi si pjesëmarrës në këtë organizatë dhe si personat veprues në terren.

Sipas akuzës, në disa episode dyshohet se i pandehuri Emiljano Shullazi ka vepruar edhe vetë. “Personat që e shoqëronin Emiljano Shullazin krijonin ankth dhe pasiguri tek viktimat”, shkruhet në konkluzionet përfundimtare të prokurorisë.

Ndërkohë, prokuroria kërkoi dënimin e Gilmando Danit me 15 vjet heqje lirie, për Endrit Qyqjan e Endrit Zelën nga 11 vite burg për secilin dhe për Blerim Shullazin 10 vjet heqje lirie. Prokurorët kanë theksuar se për shkak të rrethanave të veçanta të kësaj çështjeje, gjykata duhet t’u japë rëndësi deklarimeve të dhëna gjatë hetimit paraprak, duke pretenduar se dëshmitarët kishin ndryshuar qëndrim për shkak të presioneve.

Duke i cilësuar veprat penale për të cilat akuzohen të pandehurit me rrezikshmëri të lartë dhe për shkak se të pandehurit kanë qenë të dënuar edhe më parë, prokuroria ka kërkuar, që vuajtja e dënimit të realizohet në një burg të sigurisë së lartë.

Mbrojtja

Pasi shtyu për gati një muaj dhënien e konkluzioneve mbrojtja filloi t’i lexonte ato më 30 tetor. Avokati i Emiljano Shullazit Vladimir Meçe kërkoi pafajësi për të pandehurin Emiljano Shullazi. Avokati po ashtu kërkoi pafajësi edhe për Endrit Qyqjen, i akuzuar si pjesë e grupit, i mbrojtur po prej tij.

Një nga argumentet kryesore të avokatit Vladimir Meçe gjatë seancës së leximit të mbrojtjes, ishte shkelja sipas tij e prezumimit të pafajësisë. Meçe tha se “prezumimi i pafajësisë është një parim themelor për të pasur një proces të drejtë”, duke sjellë në vëmendje edhe shembuj të ndryshëm të gjykatave ndërkombëtare.

Ai theksoi se çështja në ngarkim të Emiljano Shullazit dhe të pandehurve të tjerë ka tërhequr vëmendjen publike duke dhënë idenë se po ndëshkohet një grup kriminal, ndërsa prokurorët e çështjes “po shfaqen si kalorësit e kësaj beteje”. “Në rastin e Shullazit, bërjet publike e kanë servirur atë fajtor, duke e kthyer gjykatën vite më parë, si gjykimet para popullit,” pretendoi Meçe.

Ai iu referuar deklaratave të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe atyre të ish-ambasadorit të SHBA Donald Lu. Po ashtu ai u ndal edhe në dëshmitë e dhëna nga dëshmitari Ylvi Beqja, të cilin e cilësoi si “mashtrues klasik”, duke thënë se dëshmitari ishte shprehur se i kishte kërkuar vetë ndihmë Emiljano Shullazit.

Meçe po ashtu tha se dëshmitari kryesor i akuzës kishte bashkëpunuar me prokurorinë për të mbyllur problemet e tij me ligjin, pasi ai në këtë kohë ishte në akuzë për pastrim parash. Avokati tha se prokuroria kishte qenë selektive në përzgjedhjen e dëshmitarëve. Ai pretendoi se provat e prokurorisë nuk vërtetojnë akuzat e ngritura dhe kërkoi shpalljen e klientëve të tij të pafajshëm.

Avokati, i Gilmando Danit, Denion Bogdani, i cili lexoi konkluzionet këtë të martë pasi kishte kërkuar më shumë kohë, u shpreh po ashtu se nuk kishte asnjë provë ndaj klientit te tij dhe kërkoi pafajësi. Ai tha në gjykatë se “është e vështirë të kundërshtosh absurdin, ndërsa e cilësoi pretencën “një tregim fantastiko- shkencor me skenar komik”.

Avokati i Endrit Zelës, Elton Domi, po ashtu kërkoi pafajësi, duke pretenduar se nuk kishte prova ndaj klientit të tij, madje ai pretendoi se dëshmitari Ylvi Beqja i kishte bërë presion klientit të tij. Pafajësi pretendoi edhe avokati i Blerim Shullazit, Aldo Tabaku, duke thënë se përshkrimi i njërit prej dëshmitarëve nuk përputhej me pamjen e të mbrojturit prej tij.

Kush është Emiljano Shullazi

Emri i Emiljano Shullazit qarkullon në kronikën e zezë që prej përplasjeve të përgjakshme të viteve 1998-1999 mes bandave në Tiranë. Në vitin 2006, ai u arrestua dhe u dënua me 7 vjet e 4 muaj burg për trafik droge si pjesë e operacionit “Identikit”.

Pas lirimit nga burgu, emri i Shullazit është lakuar si autor i mundshëm i një sërë krimesh të ndodhura në Tiranë, por autoritetet e drejtësisë mundën t’i vërtetojnë vetëm një akuzë për armëmbajtje pa leje në vitin 2012, pas të cilës ai vuajti një kohë të shkurtër dënimi.

Ai ndërkohë është përmendur edhe për përfshirje në fushata elektorale. Në vitin 2011 ai u akuzua për shkatërrimin e një lokali që shërbente si zyrë elektorale e Partisë Socialiste, ndërsa po ashtu u ndalua me armë ditën e zgjedhjeve, por përgjegjësinë për armët i morën të arrestuarit e tjerë.

Shullazi më pas u përmend nga ish-kryeministri Sali Berisha i cili akuzonte ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri për lidhje me të dhe për mbrojtje. Tahiri mohoi vazhdimisht akuzat, ndërsa kur dëshmoi në gjyqin për kërcënimin e rektorit të UT-së, ai sugjeroi që të thirrej Berisha për të dëshmuar.

Shullazi është përmendur edhe për lidhje me persona të tjerë nën akuzë. Emri i tij doli pas vrasjes së Edison Harizaj, me të cilin u arrestuan në Lezhë në vitin 2012 për armëmbajtje pa leje. Në procesin ndaj tij është përmendur edhe emri i Ervis Martinaj, i arrestuar sëfundmi pas një vrasje në një lokal në ish-bllok.

Ai ishte në listën e emrave që u përmendën disa herë si ilustrim i problemeve të drejtësisë në vend nga ish-ambasadori i SHBA në Tiranë Donal Lu. “Janë disa emra të famshëm kriminelësh shqiptarë, si trafikanti i dënuar i drogës Emiljano Shullazi, për të cilët media pretendon se vazhdon të kryejë trafik droge dhe armësh nga qelia e paraburgimit”, tha Lu gjatë një takimi në shkollën e magjistraturës në vjeshtë të vitit të kaluar. /reporter.al/Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Arsim
A do t'i

A do t'i "shpëtojë" Albin Kurti Asociacionit të komunave me shumicë serbe, flasin analistët

Lajme
Suspendimi i profesorit Krasniqi pas akuzave për ngacmim seksual, dekani i Fakultetit të Edukimit tregon detaje të vendimit

Suspendimi i profesorit Krasniqi pas akuzave për ngacmim seksual, dekani i Fakultetit të Edukimit tregon detaje të vendimit

Arsim
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Ndalohet një shtetas i Kosovës në Maqedoni, kërkohej nga Interpoli

Ndalohet një shtetas i Kosovës në Maqedoni, kërkohej nga Interpoli

Kronikë e Zezë
Kurti takon ministren e Jashtme gjermane, falënderon Gjermaninë për mbështetjen e Kosovës drejt anëtarësimit në KiE

Kurti takon ministren e Jashtme gjermane, falënderon Gjermaninë për mbështetjen e Kosovës drejt anëtarësimit në KiE

Lajme
Kalo në kategori