LAJMI I FUNDIT:

Gjuriq: Kosova, burim i identitetit, kulturës dhe shpirtit të Serbisë

Gjuriq: Kosova, burim i identitetit, kulturës dhe shpirtit të Serbisë

Populli serb dhe Serbia do të mbijetojnë në Kosovë. Kjo ka qenë porosia që shefi i të ashtuquajturës Zyrë e Kosovës në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ua ka dërguar qytetarëve të Smederevës gjatë një takimi të sotëm në kuadër të fushatës elektorale në Serbi.

Gjuriq ka theksuar se qytetarët e Serbisë më 24 prill do të tregojnë unitet dhe se do të vendosin për ata që mund të tërheqin investime dhe që do t’i mbrojnë interesat serbe në Kosovë.


“Ne në Kosovë e Metohi luftojmë që të mbijetojmë dhe do t’ia dalim pavarësisht asaj se e dimë që mund të mbështetemi vetëm në shtetin dhe qeverinë tonë”, ka theksuar Gjuriq, raporton FoNet.

Ai ka shtuar se Kosova është burim i identitetit, kulturës dhe shpirtit të Serbisë.

“Për këtë arsye në atë vend ka njerëz tanë, të afërm tanë dhe miq për të cilët jemi krenarë. Ju lutem që të tregojmë solidaritet sikurse në periudhën e mëhershme”, ka kërkuar shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, transmeton Koha.net.

Ai ka porositur se Qeveria e Serbisë do të vazhdojë të luftojë për mbijetesën e serbëve në Kosovë.

“Populli serb dhe Serbia do të mbijetojnë në Kosovë”, tha në fund Gjuriq.