Gjobë për hedhje mbeturinash në Malishevë, komuna thekson rolin e qytetarëve në ruajtjen e ambientit

Drejtoria e Inspektoratit në Komunën e Malishevës ka njoftuar se po vazhdon aktivitetet në terren për parandalimin e hedhjes së mbeturinave në hapësira publike, duke theksuar se bashkëpunimi i qytetarëve po jep rezultate konkrete.
Sipas drejtorit të Inspektoratit, Jakup Gashi, raportimet e qytetarëve kanë ndihmuar në identifikimin dhe ndëshkimin e rasteve të ndotjes së ambientit.
Së fundmi, është shqiptuar një gjobë mandatore në vlerë prej 200 euro ndaj një qytetari nga Llapçeva, i cili kishte hedhur mbeturina në një hapësirë publike në fshatin Dragobil.
“Inspektorati Komunal falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe mbetet i përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe ruajtjen e një ambienti të pastër për të gjithë”, ka deklaruar Gashi.
Ai ka theksuar se institucionet komunale do të vazhdojnë me zbatimin e ligjeve dhe rregulloreve për mbrojtjen e ambientit, duke paralajmëruar se veprimet kundër kësaj dukurie do të jenë të vazhdueshme dhe të rrepta.
Sipas tij, hedhja e mbeturinave në hapësira publike mbetet një shqetësim serioz, ndaj kërkohet angazhim i përbashkët për ruajtjen e mjedisit. /Telegrafi/




















































