eksperti-banner

Kritikat gjithnjë e më të zëshme ndaj Kaja Kallas, Përfaqësueses së Lartë të BE-së për politikën e jashtme, kanë nxjerrë në pah mangësi strukturore dhe tensione brenda Bashkimit Evropian.

Kallas është gjendur në qendër të debatit politik pas publikimit të një dokumenti jozyrtar, i cili lidhet me qeverinë franceze dhe paraqet disa ide për një transformim të thellë të funksionit të saj.


Sipas Euronews, dokumenti propozon tri opsione: forcimin e kompetencave të saj duke i zgjeruar edhe në tregti dhe zhvillim ekonomik, ose dy opsione që do ta dobësonin ndjeshëm rolin e saj duke i transferuar kompetencat te Komisioni Evropian, i udhëhequr nga Ursula von der Leyen, ose te shtetet anëtare të BE-së.

Në përgjigje të kritikave dhe raportimeve mediatike, Kallas ka theksuar se çdo ndryshim duhet të bazohet në traktatet e BE-së.

Në një email të brendshëm drejtuar stafit të saj, ajo ka deklaruar se roli dhe përgjegjësitë e institucioneve evropiane janë të përcaktuara qartë në traktate dhe se ky kuadër nuk mund të ndryshohet lehtë.

Kritikat ndaj saj

Dokumenti francez është publikuar në një kohë pakënaqësie në rritje ndaj Kallas. Ajo është kritikuar për deklaratat mbi Kinën, për insistimin që asetet e ngrira ruse të përdoren për mbështetjen e Ukrainës, për marrëdhëniet e tensionuara me administratën amerikane, si dhe për paraqitjen e planeve ambicioze pa konsultim të mjaftueshëm me vendet anëtare.

Kritikët e saj pretendojnë se ajo shpesh vepron më shumë si kryeministre e Estonisë – post që ka mbajtur më herët – sesa si përfaqësuese neutrale e 27 shteteve anëtare. Madje, kryeministri sllovak, Robert Fico ka kërkuar disa herë shkarkimin e saj.

Diplomatë të ndryshëm evropianë, duke folur në mënyrë anonime, kanë konfirmuar rritjen e rezistencës ndaj saj në javët e fundit, megjithëse nuk e kanë mbështetur dokumentin francez.

“Mision i pamundur”

Sipas tyre, problemi kryesor nuk qëndron vetëm te Kallas, por te struktura komplekse institucionale e BE-së, ku Përfaqësuesja e Lartë ndodhet mes Komisionit Evropian dhe Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), të cilin ajo e drejton.

Një tjetër problem është vendimmarrja në politikën e jashtme të BE-së, e cila kërkon unanimitet mes shteteve anëtare. Kjo do të thotë se një veto e vetme mund të bllokojë çdo vendim, duke e kufizuar ndjeshëm efektivitetin e rolit të saj.

Diplomatët theksojnë se struktura aktuale është krijuar në një periudhë tjetër dhe sot nuk i përgjigjet më realitetit politik global.

Tensione institucionale

Raporti përmend gjithashtu tensionet në rritje mes Kallas dhe Komisionit Evropian të udhëhequr nga Ursula von der Leyen, i cili ka zgjeruar rolin e tij në politikën e jashtme të BE-së.

Sipas disa diplomatëve, këto përplasje institucionale mund të jenë edhe arsyeja e vërtetë pas debatit të fundit rreth rolit të Kallas, më shumë sesa vetë performanca e saj personale.

Nga ana e Komisionit Evropian është theksuar se Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Evropian mbetet pjesë e rëndësishme e strukturës së BE-së dhe ka mbështetjen e plotë të presidencës së tij. /Telegrafi/