Nga: Jean Seaton, drejtoreshë e Fondacionit Oruell dhe profesoreshë e historisë së medias në Universitetin e Uestminsterit / The Daily Telegraph
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com
Shtatëdhjetë e pesë vjet pas vdekjes së tij më 21 janar 1950, George Orwell ende përdoret dhe keqpërdoret si të ishte bashkëkohësi ynë. I qasemi atij për mendime të gatshme mbi “shtetin e thellë” [deep state] dhe mbi lirinë e fjalës; ai është një lloj karte triumfi, një lloj shenjtori laik. Mjafton të ngjitësh fjalën “oruellian” mbi gjithçka që nuk të pëlqen, të tërhiqesh dhe të ndihesh superior: ti ke fituar!
Shembujt janë të panumërt. Në vitin 2016, pas zgjedhjes së Donald Trumpit, librat e Orwellit u përfshinë shpejt në listat e librave më të shitur. Pas pushtimit të Ukrainës, 1984-shi [Nineteen Eighty-Four, 1949] ishte libri më i shkarkuar në Rusi. Kudo ku kërcënohen vlerat demokratike liberale – Irani, Turqia, Zimbabveja dhe Mianmari dikur ishin pikat më të nxehta, por kjo vlen edhe për Perëndimin – njerëzit gjithmonë i drejtohen Orwellit. E majta, e djathta dhe të gjithë ata që ndodhen në mes pretendojnë se “e zotërojnë” atë. Madje, edhe në ekstremet politike: ndërsa disa nga e majta radikale dyshojnë në këndvështrimin e tij mbi botën, në çdo cep konspirativ të internetit mund të gjesh të djathtën ekstreme duke përvetësuar fjalët e tij.
Përkushtimi i Orwellit për të kuptuar realitetin mbetet një shembull i ndritshëm. Megjithatë, thelbi i vërtetë dhe tmerri i veprës së tij – mënyrat se si ai identifikoi abuzimin e gjuhës dhe ndikimin e tiranisë – duhet, si gjithë arti i madh, të na ndihmojnë të kuptojmë gjërat që ndryshe nuk do t’i kuptonim. Ta shohësh atë si një figurë të shekullit XXI, një njeri që mendon “fiks si ne” (kushdo që jemi “ne”), do të thotë të humbasësh pothuajse gjithçka që e bën atë të jetë vetvetja. Ndërkohë, një mori citatesh të shpikura dhe keqinterpretimesh dëmton vlerën e vërtetë të veprës së tij.
Prandaj, ja dhjetë gjëra që ne – ndoshta edhe ju – shpesh i keqkuptojmë rreth Orwellit, jetës dhe shkrimeve të tij.
Lexo po ashtu:
– Letra e Hakslit për Oruellin (1949): Vizioni im për ferrin e së ardhmes është më i saktë se i yti!
– Epoka e një mijë të vërtetave
– Eseisti George Orwell
– Vdekja e së vërtetës: Kur propaganda dhe “faktet alternative” e pushtuan botën
– Pse kurrë nuk mund të thuash se kam lexuar shumë nga Oruelli?
– Thënie të George Orwellit: Përballë dhimbjes nuk ka heronj
1. Orwelli ishte një fundamentalist i lirisë së fjalës
Aspak. Ai luftoi shumë për lirinë e fjalës, por nuk ishte libertarian. Rreshti më i famshëm në 1984 është: “Liria është liria për të thënë se dy plus dy bëjnë katër. Nëse kjo pranohet, gjithçka tjetër pason nga kjo.” Mund të duket si një deklaratë mbi lirinë e fjalës, por në të vërtetë është një deklaratë mbi të vërtetën. Bëhet fjalë për lirinë për të shpallur të vërtetat e vetëkuptueshme, faktet – jo, le të themi, për të bërë një akuzë të çmendur ndaj Jess Phillipsit [politikane laburiste). Në fakt, Orwelli asnjëherë nuk e mbron “të drejtën për të thënë gjithçka”. Përkundrazi, ai është jashtëzakonisht i vetëdijshëm për fuqinë e rrezikshme të gjuhës së korruptuar dhe të urrejtjes dhe për mënyrën se si ajo mund të krijojë tmerre. “Dy minutat e urrejtjes” tregojnë në mënyrë tronditëse se si gjuha e dhunshme mund të çlirojë instinktet më të këqija të njerëzve dhe të shërbejë si parakusht për mizori. Kjo nuk është një “urrejtje” abstrakte: ajo çon drejtpërdrejt në turmat që sulmojnë njerëz të pafajshëm në Sheshin Trafalgar, më vonë në roman. Për Orwellin, fjalët kanë rëndësi mbi gjithçka tjetër.
2. Orwelli ishte armiku i përbetuar i “shtetit të thellë”
Marrëzi. Orwelli ishte kundër terrorit totalitar dhe, si i tillë, e shihte burokracinë si potencialisht shtypëse në duart e tiranëve. Duke u bazuar në atë që pa nga dy “-izmat” e mëdhenj të kohës së tij – fashizmi dhe komunizmi – ai tregoi në 1984 se si gënjeshtrat e sistematizuara mund të krijojnë një rend më vete. Vepra e tij ishte një lloj mase parandaluese: lexo këtë dhe kujdes! Por, ai ishte plotësisht pro qeverisjes së mirë dhe e shihte shtetin si organizatorin e ligjit dhe rendit. 1984-shi përshkruan një botë arbitrare të pushtetit dhe frikës, ku realiteti është i shtrembëruar dhe askush nuk mban përgjegjësi. Autori i saj dëshironte një qeveri më të mirë; madje, si i ri, në I varfër dhe i pastrehë në Paris dhe Londër [Down and Out in Paris and London, 1933], ai përsiati – sado në mënyrë naive – mbi atë se si mund të dukej një politikë për të strehuar dhe punësuar të pastrehët. Ai gjithashtu e kuptonte rëndësinë e sigurisë kombëtare. Lista kontroverse e shkrimtarëve që ai i dha shërbimeve të sigurisë kishte për qëllim të ndihmonte shtetin të bënte zgjedhje më të mira. Ai i emërtoi ata si të papërshtatshëm për të shkruar propagandë antikomuniste në vitin 1949 – dhe me të drejtë: ata ishin vërtet pro-Stalin.
3. Orwelli nuk ishte vërtet një socialist
Orwelli nuk ishte thjesht antikomunist; ai ishte kundër tiranisë – që nuk është e njëjta gjë. Është e vërtetë që veprat e tij, të lëshuara me balona dhe të shpërndara në Korenë e Veriut dhe Poloni gjatë Luftës së Ftohtë, u përdorën nga CIA dhe u ribotuan në shtypshkronja të fshehta nga opozita e guximshme. Ndryshe nga shumë bashkëkohës të tij, ai kishte zhvilluar prej kohësh një imunitet ndaj gënjeshtrave dhe tmerrit të tiranisë staliniste. Por, ai vetë ishte socialist – thjesht një socialist që nuk përshtatej lehtësisht me vijat partiake. Ai ishte po aq radikal ditën që vdiq sa kur përshkonte rrugët e Parisit dhe Londrës si një shkrimtar i ri për të përjetuar varfërinë nga afër.
4. Orwelli ishte një vizionar dhe e dinte këtë
Aspak. Përkundrazi, vepra e tij ishte produkt i një leximi dhe shkrimi të bollshëm. Orwelli shkroi mijëra artikuj dhe recensione, dhe qartësia në shkrimin e tij vinte pikërisht nga kjo punë. Ai ishte i rrënjosur në vëzhgimin empirik të përditshëm dhe në vlerësimin e provave. Ndërsa shkruante Rrugën për në skelën Uigan [The Road to Wigan Pier, 1937], ai shkroi gati një mijë letra duke kërkuar informacione. Ai nuk ishte ndonjë parashikues, por punëtor i palodhshëm.
5. Orwelli ishte një shenjtor laik
Në fakt, ai ishte i verbër ndaj shumë aspekteve të kulturës sonë: arti, muzika, futbolli. Dhe, vepra e tij shquhet për përdorimin e anës së tij të errët, thellësisht kalviniste dhe vetëkritike. Orwelli e dinte se nuk ishte i përsosur dhe me objektivitet të jashtëzakonshëm analizonte anën e tij të keqe. Ai nuk ishte sadist, por e kuptonte dhunën: perceptimi i tij mbi fashizmin bazohej paksa te vetja. Në vend që të thoshte “i gjori unë,” Orwelli përsëriste vazhdimisht: “unë i keqi, i dobëti, i frikacaku” – shihni esetë si Vrasja e elefantit [Shooting an Elephant, 1936] dhe Varja [A Hanging, 1931]. Çdo kritikë që mund të kesh për të, do ta kuptosh se e ka thënë, madje edhe më ashpër, ai i pari. Pikënisja për veprat e tij më të mira është ndjenja e fajit: ai raporton mbi veten me një ftohtësi të çuditshme. Instinktet e tij ishin të kundërta me shumicën e njerëzve sot: ai nuk ishte kurrë viktimë, por gjithmonë një agjent i veprimit.
6. Orwelli ishte një i sertë dhe i fiksuar pas politikës
Ky është miti; por miqtë e tij e përshkruanin si një njeri që rrezatonte ndershmëri. Ai e mbronte artin mbi politikën, i pëlqente të argëtonte të tjerët, dhuronte para kur kishte, dhe kishte miq të përkushtuar si Anthony Powell dhe David Astor, të cilët vlerësonin integritetin, zgjuarsinë dhe mirësinë e tij. Orwelli ishte i zhytur në jetën që jetoi, duke dashur gjërat e vogla – mbillte lule dhe perime kudo që jetonte dhe krijonte lodra absurde për djalin e tij, Richard. Ai ishte një baba i përkushtuar dhe fëmijët e tjerë që e kishin takuar kanë dëshmuar – pas vdekjes së tij – se sa argëtuese ishte shoqëria e tij dhe sa kohë kalonte me ta.
7. Orwelli ishte mizor ndaj grave dhe gruaja e tij ishte e nëpërkëmbur
Kjo është një nga parullat më të përhapura të momentit. Orwelli ishte një njeri i kohës së vet, ashtu siç ishin edhe gratë përreth tij. Por, gratë që ai njohu, martoi dhe dashuroi (pavarësisht nëse fjetën apo jo me të) ishin shumë të veçanta. Ato ishin mjeke, refugjate ruse, shkrimtare (Lydia Jackson, e njohur ndryshe si Elisaveta Fen), pioniere në studimet mbi fëmijët. Ishin gra të bukura dhe të sofistikuara që kishin një jetë mbresëlënëse letrare (si binjaket Paget). Eileen O’Shaughnessy (gruaja e tij e parë) ishte një radikale universitare, një nga gratë e para që ndoqi Kolegjin e Shën Hjuit [St. Hugh’s] në Oksford dhe punoi si studiuese pioniere në psikologji – si dhe në Ministrinë e Ushqimit. Ajo e transformoi jetën e Orwell-itdhe ai të sajën. Ishte lexuesja e parë e veprave të tij dhe letrat e saj, të zbuluara rishtas, e shfaqin si një grua të mprehtë, ironike dhe argumentuese – jo si një shtëpiake e shtypur dhe e zhgënjyer, siç pretendohet në një biografi të fundit. Është prekëse të lexosh letrën e saj të fundit për Orwellin, dërguar nga spitali, disa orë para se të vdiste në tryezën e operacionit: vjen nga zemra e një martese të vërtetë dhe komplekse. Gruaja e tij e dytë, Sonia Brownell, drejtonte një revistë letrare. Këto gra kishin jetë të rënda, ndonjëherë të çrregullta në kohë lufte, por ishin gra të pavarura, me forcë dhe karakter.
8. Orwelli e çoi kohën kot në BBC
Orwelli punoi në BBC, në Shërbimin Lindor, nga viti 1941 deri më 1943. Më vonë, ai e quajti Korporatën “diçka midis një shkolle vajzash dhe një çmendine” dhe e përshkroi periudhën e tij atje si “dy vite të humbura”. Por, në të vërtetë, ai bëri një punë të jashtëzakonshme: e ekzagjeronte papërshtatshmërinë e tij për këtë rol. Ai sponsorizoi shkrimtarët pionierë indianë, si dhe disa figura të shquara, si shkrimtarja dhe transmetuesja e mrekullueshme afrikano-karaibiane, Una Marson. Përvoja e tij në BBC e ndihmoi të kuptonte më mirë shijet e përgjithshme të publikut – dhe madje i dha idenë për Dhomën 101 (në realitet, një dhomë për klasifikimin e postës).
9. Orwelli u tërhoq në Xhurë si një lloj dëshire për vdekje
Orwelli jetoi kryesisht në ishullin skocez të Xhurës – nga viti 1946 deri më 1949; atje përfundoi 1984-shin. Është e vërtetë që ai ishte i sëmurë me tuberkuloz dhe vdiq më 1950. Por, ai shkoi në Xhurë sepse mendonte se klima do ta ndihmonte të shëndoshej. Ai dëshironte të largohej nga pasojat e famës; gjithmonë kishte ëndërruar të punonte në një zonë rurale dhe donte të përfundonte 1984-shin. Për më tepër, besonte se Richardi do të ishte më i sigurt atje në rast të një lufte bërthamore.
10. Orwelli është, në çdo kuptim, bashkëkohësi ynë
Kjo është absurde. Ai u formësua nga një Angli, Britani dhe botë pothuajse të panjohshme për ne sot; ai dhe bashkëkohësit e tij ishin të zhytur në një letërsi dhe politikë krejtësisht ndryshe. Pozicioni i tij shoqëror, të cilin ai e quante “klasë e mesme e sipërme e ulët” dhe puna e tij në dhe për Perandorinë – që atëherë ishte diçka normale – janë zhdukur si pluhur. Temperamenti dhe zakonet e tij emocionale duken të çuditshme sot – sepse vijnë nga një epokë tjetër. Është veçanërisht ironike që, pikërisht njeriu që demaskonte mitet, duhet të jetë sot subjekt i projektimit të vlerave bashkëkohore mbi jetën e tij. /Telegrafi/
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumëThënie të thella që nuk pendoheni nëse i lexoni!
Fjalimi i Shaban Polluzhës dhe Mulla Ilaz Brojës në Sanxhak, në vjeshtën e vitit 1941
Viti 1931: Kolonizimi që nuk mundi ta zhbëjë shqiptarin nga Kosova
Thënie të George Orwellit: Përballë dhimbjes nuk ka heronj
Gjithçka që mendonit se dinit për George Orwellin - është e gabuar!
LUMTURIA ËSHTË DASHURI
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
Gjesti habit me deklaratën: Nëse kam aq shumë fansa, atëherë po ia fus gjumit dhe po e fitoj Big Brother-in
Pas Lojërave Olimpike, hakohen edhe faqet e Bloomberg në Facebook dhe Instagram - publikohet fotografia e Gjestit
Me inteligjencën artificiale 'jetësohen' figurat historike shqiptare
Real Madridi po ia rrëmben Barcelonës top shënjestrën nga dora
Trump deklaroi se Spanja është pjesë e BRICS, reagon qeveria spanjolle
Përfundon dueli i nëntë golave: Nga turpërimi, kalon në ngadhënjim - çfarë Barcelone!