LAJMI I FUNDIT:

Gjithçka gati për nisjen e gjyqit kundër Trumpit në Senat

Gjithçka gati për nisjen e gjyqit kundër Trumpit në Senat

Senati i Shteteve të Bashkuara do të dëgjojë argumentet në gjyqin e tretë që është duke u zhvilluar ndonjëherë për shkarkim të një presidenti në pozitë, në historinë gati 250-vjeçare amerikane.

Gjyqi kundër presidentit amerikan, Donald Trump ka nisur më 16 janar, pas betimit të kryer nga shefi i Gjykatës Supreme, John Roberts, në pozitën e udhëheqësit të këtij procesi.


Liderët demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve kanë lexuar akuzat, të njohura si Artikujt për Shkarkim, të cilat kanë shtyrë Senatin e udhëhequr nga demokratët që të informojnë edhe zyrtarisht presidentin Trump për gjyqin, dhe t’i ofrojnë atij mundësinë e përgjigjes ndaj akuzave.

Gjyqi, që do të transmetohet edhe në kanale televizive dhe i cili mund të zgjasë disa javë, po zhvillohet në periudhë kritike për jetën politike në SHBA, pasi demokratët janë duke u përgatitur për rrethin e parë të zgjedhjeve, të cilat ka mundësi të përcaktojnë se kush prej demokratëve do ta sfidojë republikanin Trumpin, në zgjedhjet e muajit nëntor.

Katër kandidatë që garojnë për të fituar nominimin e demokratëve për president, Michael Bennet, Amy Klobuchar, Bernie Sanders, dhe Elizabeth Warren, janë senatorë, andaj atyre do t’iu duhet të kufizojnë aktivitetet e fushatës së tyre, në mënyrë që të marrin pjesë në gjyqin kundër Trumpit.

Rrethi i parë i zgjedhjeve do të zhvillohet në Ajoa më 3 shkurt.

Për çfarë akuzohet Trumpi?

Presidenti amerikan akuzohet për abuzim të pushtetit në lidhje me veprimet e tij kundrejt Ukrainës, si dhe për pengim të punës së Kongresit, i cili ka nisur hetime lidhur me veprimet e Trumpit.

Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve kanë thënë se Trump ka pezulluar ndihmën ushtarake në vlerë të 400 milionë dollarëve për Ukrainën, dhe ftesën për vizitë në Shtëpinë e Bardhë për presidentin e ri ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, duke i kërkuar Kievit që të nisë hetime kundër një rivali politik.

Trump ka kërkuar nga Ukraina të hetojë Joe Bidenin, i cili është aktualisht një prej kandidatëve kyçë në garën e demokratëve për ta sfiduar Trumpin.

Përveç ish nën-presidentit amerikan, Trump ka kërkuar hetime edhe për djalin e Bidenit, Hunter.

Hunter Biden ka qenë pjesë e bordit të kompanisë, Burisma Holdings, e cila prodhon gaz, derisa babai i tij ka shërbyer në administratën e ish-presidentit amerikan, Barack Obama dhe ka qenë njeriu kryesor i Shtëpisë së Bardhë në çështjet e lidhura me Ukrainën.

Prokurorët ukrainas më 2014 kanë hapur një rast për korrupsion kundër kompanisë Burisma, e cila është në pronësi të një ish-kryeminsitri.

Trump pretendon, pa të dhëna, se Biden i ka bërë presion Kievit që të shkarkojë prokurorët në mënyrë që të mbrojë kompaninë Bursma dhe djalin e tij.

Biden në anën tjetër ka mohuar akuzat.

Trump po ashtu i ka kërkuar Ukrainës të hetojë një teori diskredituese që thotë se Ukraina, dhe jo Rusia, ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA.

Agjencitë amerikane të inteligjencës kanë arritur në përfundim se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016, në të mirë të Trumpit.

Presidenti është përballur me hetimet për Rusinë në pjesën më të madhe të udhëheqësisë së tij, ndonëse vazhdimisht këtë proces e ka cilësuar “mashtrim” dhe “gjueti shtrigash”.

Dhoma e Përfaqësuesve ka nisur hetime për të kuptuar nëse Trump i ka bërë presion Ukrainës në muajin shtator dhe nga ajo kohë ka ftuar për dëshmi një varg dëshmitarësh nga Shtëpia e Bardhë, Departamenti amerikan i Shtetit dhe agjenci tjera.

Trump ka urdhëruar disa zyrtarë që të mos u përgjigjen ftesave për dëshmi, situatë që ka rezultuar me akuzën e dytë për pengim të punës së Kongresit.

A nuk është shkarkuar veçse Trumpi?

Po, sipas Dhomës së Përfaqësuesve.

Mirëpo kjo vetëm i bie se ai është akuzuar zyrtarisht, pas hetimeve dhe votimit në Dhomën e Përfaqësuesve.

Pas përfundimit të hetimeve, Komiteti për Inteligjencë i kësaj Dhome ka publikuar një raport më 3 dhjetor të vitit të kaluar, duke e akuzuar presidentin për kryerje të krimeve.

Në procesin e zhvilluar më 18 dhjetor, 230 kongresistë kanë votuar në të mirë të akuzës së parë, 197 kundër dhe 229 për akuzën e dytë në krahasim me 198 që kanë qenë kundër.

Të gjithë republikanët kanë votuar kundër dy akuzave, derisa disa demokratë kanë abstenuar apo kanë kundërshtuar ato.

Si do të zhvillohet gjyqi?

Pjesëtarët demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve do të udhëheqin procesin gjyqësor në Senat. Në ekipin ligjor të presidentit përfshihen: Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Pat Cipollone, avokati personal i Trumpit, Jay Sekulow, Ken Starr, që ka hetuar ish-presidentin amerikan, Bill Clinton në vitet 1990 dhe Alan Dershowitz, profesor i ligjit kushtetues në Harward dhe avokat që ka përfaqësuar figura të mirënjohura botërore, siç është kampioni botëror i boksit, Mike Tyson dhe ylli i futbollit, O.J. Simpson.

Gjyqi do të nisë më 21 janar në orën 13:00 sipas kohës lokale dhe do të zgjasë gjashtë ditë në javë, nga e hëna në të shtunë.

Seancat ditore pritet të zgjasin 4-5 orë.

Sipas gjyqit kundër ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, një model që ka shtyrë përpara lideri i shumicës në Senat, Mitch McConnell, secila palë nuk mund të ketë më shumë sesa 24 orë për të prezantuar deklaratat hyrëse.

Më pas secila palë do të duhej të kishte 16 orë, ashtu që senatorët të kenë mundësi për të shtruar pyetje me shkrim.

Senati ka shumë mundësi që të votojë si të vazhdojë me procedurat e gjyqit, duke përfshirë ftesat për dëshmitarë dhe dokumente tjera.

Një shumicë prej 51 senatorësh duhet të votojë për të miratuar prezantimin e dëshmitarëve apo të dhënave tjera.

Aktualisht në Senatin me 100 ulëse, gjenden 52 republikanë.

Teksa janë prezantuar të dhëna të reja që mbështesin akuzat për shkarkim të Trumpit, demokratët në Senat kanë kërkuar dëshmitarë të rinj dhe qasje në dokumente shtesë.

Lev Parnas, qytetar amerikan, i lindur në ish-Bashkimin Sovjetik, gjendet në qendër të të dhënave të reja, pasi ai u ka treguar mediave për herë të parë javën e kaluar se ai i ka kërkuar Ukrainës që të hetojë Bidenët me urdhër të avokatit personal të Trumpit, Rudy Giuliani.

Parnas po ashtu ka thënë se ka gatishmëri për të dëshmuar.

Ndërkohë Dhoma e Përfaqësueseve kërkon siguri që gjykimi nuk do të përfundojë shpejt ashtu që Trump të shpallet i pafajshëm nga republikanët e Senatit.

Republikanët në anën tjetër kanë refuzuar kërkesa për diçka të tillë.

Sipas ligjit, gjykatësi, Justice Roberts do të mbikëqyrë procesin, siç parashihet me ligj. Robert është emëruar shefi i drejtësisë nga ish-presidenti republikan, George W. Bush më 2005.

Përgjatë gjyqit, senatorët do të vëzhgojnë në qetësi procesin.

Pas përfundimit të procesit, senatorët do të votojnë për secilën akuzë.

Nëse dy të tretat e senatorëve, 67 nga 100, e shpallin presidentin fajtor, Trump largohet nga zyra.

Megjithatë, mundësia e jetësimit të këtij rasti të pashembullt është e pakët.

Republikanët kanë 53 nga 100 ulëse sa ka Senati, që nënkupton se 20 prej këtyre pjesëtarëve do të duhet të kalojnë linjat partiake, për të votuar për shkarkim të presidentit republikan.

A ka pasur gjyq për shkarkim të ndonjë presidenti tjetër në Senat?

Po. Demokrati, Andrew Johnson ka qenë presidenti i parë amerikan që është përballur me gjyq për shkarkim.

Johnson, ka fituar pushtetin pas vrasjes së Abraham Lincolnit.

Ai është akuzuar nga Dhoma e Përfaqësuesve, atëbotë e kontrolluar nga republikanët, për shkarkim të paligjshëm të Sekretarit për Luftë, John Stanton më 1868.

Senati nuk ka miratuar akuzat kundër tij për një votë, mirëpo Johnson nuk ka fituar nominimin e partisë për të garuar për president në zgjedhjet e vitit 1868.

Më 1998, demokrati, Bill Clinton është akuzuar nga republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve se ka gënjyer nën betim dhe ka penguar punën e drejtësisë në çështjen rreth marrëdhënies të tij seksuale që ka pasur me një praktikante.

Megjithatë, Senati i kontrolluar nga demokratët nuk ka votuar për largimin e tij nga zyra.

Presidenti i 37-të i SHBA-së, Richard Nixon, ka dhënë dorëheqje para se të votohej për gjyqin kundër tij në Dhomën e Përfaqësuesve. /Rel/