Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka shprehur mbështetje për nismën legjislative të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), e cila synon ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Kosovës për të sanksionuar penalisht moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe përdorimin e parasë publike për përfitim elektoral.

Përmes një postimi në Facebook, Gjini tha se edhe pse në një demokraci funksionale respektimi i Kushtetutës dhe moskeqpërdorimi i parasë publike duhet të jenë standard, abuzimet e viteve të fundit e bëjnë të domosdoshëm rregullimin e tyre me ligj.


“Prandaj e mbështes nismën e IKD-së. Ndarja e parave publike disa ditë para zgjedhjeve nuk është politikë sociale, është manipulim i pastër për të blerë vota të qytetarëve me paratë e tyre. Zgjedhjet duhet të jenë garë e barabartë, jo një treg ku pushteti hyn në garë me buxhetin e shtetit në dorë”, ka shkruar Gjini.

Ai theksoi se duhet të ketë përgjegjësi penale si për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ashtu edhe për keqpërdorimin e parasë publike gjatë fushatave zgjedhore.

“Duhet të ketë përgjegjësi penale si për shkeljen e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ashtu edhe për keqpërdorimin e parasë publike për fushata. Ky abuzim duhet të dënohet me ligj për këdo. Unë do ta nënshkruaj”, ka deklaruar ai.

IKD ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për nismën legjislative qytetare, për procedimin e së cilës në Kuvend nevojiten të paktën 10 mijë nënshkrime të qytetarëve. /Telegrafi/