Gjilani prezanton portierin e ri – Vokli Laroshi nënshkruan për dy vite

Skuadra e Gjilanit ka zyrtarizuar afrimin e portierit Vokli Laroshi, duke shtuar siguri në prapavijë për sezonet e ardhshme. 23-vjeçari ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare me klubin kuqebardhë.
Laroshi vjen nga Llapi, ku kaloi dy edicione të plota dhe u paraqit në disa ndeshje të rëndësishme.
Ai ka qenë pjesë edhe e klubit të njohur shqiptar, Partizani i Tiranës, duke grumbulluar përvojë të vlefshme në nivelet e larta të futbollit shqiptar.
Portieri i ri i Gjilanit është aktivizuar edhe me Kombëtaren U21 të Shqipërisë, çka dëshmon për potencialin dhe cilësitë e tij në portë.
Përveç Laroshit, Gjilani ka qenë aktiv edhe në tregun e transferimeve, duke afruar Besart Krivanjeva, Mevlan Adilin, Lorik Boshnjakun dhe Mario Zebiqin, si pjesë e riorganizimit të skuadrës për sezonin e ri.
Nga ana tjetër, disa futbollistë janë larguar nga klubi, përfshirë Kenan Haxhihamzën, Marko Roganoviqin dhe Besir Ramadanin, teksa drejtuesit janë të vendosur për të ndërtuar një grup konkurrues për edicionin 2025/26. /Telegrafi/


















































