Gjilani mbështet 14 OJQ me 70 mijë euro për projekte në shëndetësi dhe mirëqenie sociale


Komuna e Gjilanit ka përmbyllur procesin e thirrjes publike për subvencionimin e projekteve në fushën e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, duke nënshkruar kontrata me 14 organizata joqeveritare përfituese.
Përmes kësaj skeme, Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka ndarë 70 mijë euro për mbështetjen e projekteve që synojnë përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, promovimin e shëndetit dhe fuqizimin e përfshirjes sociale.
Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Mimoza Kadriu Qerimi, tha se qëllimi i thirrjes publike ka qenë përkrahja e projekteve dhe programeve që kontribuojnë në rritjen e mirëqenies së qytetarëve.
“Sipas saj, kjo bëhet përmes ofrimit të shërbimeve sociale, promovimit të shëndetit, mbështetjes së grupeve në nevojë, fuqizimit të përfshirjes sociale dhe zhvillimit të iniciativave me interes publik”, thuhet në njoftimin e Komunës së Gjilanit.
Kadriu Qerimi theksoi se përmes kësaj forme të mbështetjes synohet forcimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike dhe organizatave të shoqërisë civile.
“Në këtë mënyrë, synohet forcimi i partneritetit ndërmjet institucioneve publike dhe organizatave të shoqërisë civile për t'iu përgjigjur sa më mirë nevojave të komunitetit”, tha Kadriu Qerimi.
Ajo bëri të ditur se vlera e kësaj skeme është rritur ndjeshëm krahasuar me fillimin e mandatit, kur buxheti për këtë qëllim ishte 20 mijë euro.
“Kjo rritje e konsiderueshme dëshmon përkushtimin e Komunës së Gjilanit dhe të Drejtoratit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, për të investuar në projekte që sjellin ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve”, deklaroi Kadriu Qerimi.
Drejtoresha uroi organizatat përfituese, duke shprehur pritjen që projektet e tyre të realizohen me përgjegjësi, transparencë dhe me rezultate konkrete për qytetarët e Komunës së Gjilanit. /Telegrafi/


































