Gjilani bëhet qendër e teatrit shqip, hapet edicioni i 35-të i festivalit “Talia e Flakës”

Me shfaqjen Dramë për të qesh nga Teatri i Tetovës, në Gjilan është hapur edicioni i 35-të i festivalit të dramës shqipe Talia e Flakës 2026, nën patronatin e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, dhe me përkujdesjen e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, në kuadër të manifestimit tradicional mbarëkombëtar Flaka e Janarit.
Festivali, si një nga shtyllat kryesore të Flakës së Janarit, ka ngjallur interesim të madh të artistëve dhe artdashësve nga hapësira shqiptare. Në hapje morën pjesë zyrtarë institucionalë, drejtues të Fakultetit të Arteve, si dhe artistë nga Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës.
Programi i festivalit u prezantua nga aktoret gjilanase Mejreme Berisha, Emine Toska, Aurita Agushi dhe Safete Mustafa, me ftesë të organizatorit Migjen Fazliu nga Varg e Vi. Gjatë periudhës 24–28 janar, dhjetëra artistë do të prezantojnë shfaqje sipas këtij programi:
- 24 janar: Dramë për të qesh – Teatri i Tetovës
- 25 janar: Sytë e ujkut – Doruntina Basha, regji Kushtrim Koliqi, prodhim i Integra
- 26 janar: Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës – Teatri Adriana Ferizaj, tekst Jeton Neziraj, regji Agon Myftari
- 27 janar: God Bless America – Teatri i Gjilanit, autor dhe regjisor Fatos Berisha
- 28 janar: Gërdia – Teatri Kombëtar i Kosovës, tekst dhe regji Astrit Kabashi, fituese e Konkursit të Dramës Shqipe Katarina Josipi 2025
Çmimet e sivjetme përfshijnë gjashtë kategori teknike, koreografi, skenografi, kostumografi, dizajn ndriçimi dhe kompozim muzikor, si dhe pesë çmime kryesore: aktori më i mirë, aktorja më e mirë, regjia më e mirë, teksti më i mirë dhe çmimi kryesor për shfaqjen më të mirë. Juria e festivalit përbëhet nga Ali Demi, Tringa Hasani dhe Ilir Bokshi.
Hapja u zhvillua pa ceremoni të ekzagjeruara, duke i lënë hapësirë prezantimit skenik të trupës së Tetovës, me aktorët Arsim Kaleci, She Ilazi, Petrit Neziri, Ermal Çanga, Arta Zejneli, Elmir Sejfullai, Sami Mustafa, Abdulla Osmani, Bekim Jahiu, Linda Shabani dhe Hasim Memishi Sopi.
Shfaqja Dramë për të qesh sjell një vizion postmodern të dramaturgut Sulejman Rushiti, ku personazhe të dramaturgjisë së Shekspirit rimodelohen në karaktere bashkëkohore, duke krijuar një paralelizëm mes teatrit klasik dhe absurditetit të përditshëm shoqëror e politik. Figura nga Hamleti, Makbethi, Othello, Mbreti Lir, Jul Cesari, Romeo dhe Zhulieta dhe Ëndrra e një nate vere ndërthuren me tipologji aktuale, duke reflektuar marrëdhëniet mes artit dhe pushtetit.
Manifestimi Flaka e Janarit 2026 do të vazhdojë deri më 31 janar me aktivitete të shumta kulturore në artet letrare dhe muzikore. Gala mbrëmja festive dhe ndarja e çmimeve do të mbahet më 31 janar në resortin Vali Ranch, ku do të shpallen fituesit në katër shtyllat kryesore: Arte Letrare, Arte Skenike, Arte Pamore dhe Arte Muzikore, përfshirë poezinë dhe tregimet fituese në Orën e Madhe Letrare dhe festivalin e këngës Fest Flaka 2026. /Telegrafi/




















































