Gjigantët evropianë po përdorin inteligjencën artificiale se si t'i ndihmojnë lojtarët të qëndrojnë të shëndetshëm dhe të rrisin performancën e tyre

Klubet më të mëdha të futbollit si Real Madridi, Manchester City, Bayern Munich, por edhe skuadra nga Kupa e Botës për Klube si Flamengo dhe Palmeiras, po e çojnë lojën në një nivel tjetër – jo vetëm në fushë, por edhe pas kuintave. Si po e bëjnë këtë? Duke investuar fuqishëm në Inteligjencën Artificiale (IA), për të garantuar që lojtarët e tyre të qëndrojnë të shëndetshëm dhe larg lëndimeve.
IA po revolucionarizon mënyrën se si klubet monitorojnë dhe analizojnë performancën e lojtarëve. Në vend që të mbështeten vetëm në metodat tradicionale, tani përdoren të dhëna të shumta – nga ngarkesa stërvitore dhe historiku i lëndimeve, te cilësia e gjumit, ushqyerja dhe mirëqenia emocionale. Kamerat, sensorët dhe pajisjet inteligjente gjurmojnë çdo detaj për të krijuar një tablo të plotë të shëndetit dhe formës së një lojtari.
Dr. Rodrigo Zogaib nga Santos FC thotë: “Ne përdorim mjete të ndryshme të inteligjencës artificiale për të monitoruar performancën dhe shëndetin e atletëve, duke përfshirë vlerësime mjekësore, fizioterapeutike, fiziologjike dhe ushqyese. Gjurmohen të dhënat e gjumit, peshës, hidratimit, GPS-it dhe ngarkesës së stërvitjes. Të gjitha këto krijojnë alarme që na ndihmojnë të përshtatim ngarkesat individuale për çdo lojtar”.
Rezultatet janë premtuese: klubet synojnë të reduktojnë shkallën e lëndimeve deri në 30% – një përqindje domethënëse, duke pasur parasysh se çdo dëmtim mund ta mbajë një lojtar jashtë për javë të tëra dhe të ndikojë ndjeshëm në performancën dhe financat e klubit.
Sven Mueller nga CUJU shton: “Investimi në teknologji të avancuar na lejon të kryejmë analiza të personalizuara dhe të integruara në vetëm pak sekonda, duke na ndihmuar të kuptojmë më mirë nevojat fizike, teknike dhe mendore të çdo lojtari. IA po transformon futbollin – nga zbulimi i talenteve të reja, te parashikimi i zhvillimit të tyre dhe vlerësimi i rrezikut për lëndime apo vlera në treg”.
Por IA nuk ndihmon vetëm në aspektin fizik. Tulio Horta nga Volt Sports Science thekson: “IA bashkon të dhëna kyçe për të përmirësuar performancën dhe mirëqenien e atletëve, duke përfshirë stërvitjen, rikuperimin, psikologjinë sportive dhe neuroshkencën. Kjo qasje e integruar është thelbësore që lojtarët të arrijnë potencialin e tyre maksimal”.
E ardhmja e futbollit nuk qëndron vetëm në talentin dhe përgatitjen fizike – por edhe në përdorimin e teknologjisë inteligjente dhe analizës së thellë të të dhënave që bashkëpunojnë për ta mbajtur çdo lojtar në formën më të mirë, sezon pas sezoni. /Telegrafi/



































