LAJMI I FUNDIT:

Gjermanisë i mungon fuqia punëtore, ministri i Ekonomisë: Jemi të hapur për 300 mijë vende të reja pune

Gjermanisë i mungon fuqia punëtore, ministri i Ekonomisë: Jemi të hapur për 300 mijë vende të reja pune

Gjermania do të ketë nevojë për rritje të “emigracionit” për të parandaluar mungesën e fuqisë punëtore, që do të rriste produktivitetin dhe të ketë një tranzicion të suksesshëm energjetik – kështu të paktën pretendon Robert Habeck, zëvendëskancelari gjerman dhe njëherit ministri i Ekonomisë.

“Kemi të hapura 300 mijë vende të reja pune. Prisni që kjo të rritet në një milion apo më shumë”, tha lideri i të Gjelbërve gjatë një konference për media, transmeton Telegrafi.


“Nëse nuk e mbushim atë boshllëk, do të kemi probleme të vërteta me produktivitet. Natyrisht, kjo nënkupton më shumë punë për të kualifikuar e trajnuar, dhe mundësi e mirë punësimi, por në Gjermani kjo do të thotë rritje e emigracionit në të gjitha fushat – për inxhinierë e zanate të ndryshme”, shtoi Habeck.

Instituti gjerman për ekonomi vlerëson se këtë vit për shkak të daljes në pension, numri i punëtorëve do të zvogëlohet për 300 mijë.

Pritet që në vitin 2029 numri i punëtorëve të zvogëlohet për më shumë se 650 mijë, kështu në treg deri më 2030 do të mungojnë rreth 5 milionë punëtorë.

Numri i gjermanëve të punësuar është rritur në 45 milionë gjatë vitit të kaluar, pavarësisht problemeve të shumta që i shkaktoi pandemia e COVID-19.

Pas dekadave të përqindjes së ultë të natalitetit, mungesa e fuqisë punëtore është një bombë demografike e kurdisur për sistemin pensional të Gjermanisë, që duhet të financojë më pak punëtorë, derisa numri i të pensionuarve që jetojnë çdo herë e më shumë po rritet.

Partitë në pushtet janë pajtuar që të zvogëlojnë barrierat për punonjës të kualifikuar nga jashtë, ku paga minimale për një ore punë pritet të rritet në 12 euro – kështu të paktën ishin dakorduar gjatë bisedimeve për formimin e koalicionit. /Telegrafi/